Anija “Lissus” e Forcës Detare të Shqipërisë, pjesë e operacioneve të NATO-s në detin Mesdhe

Anija “Lissus” dhe një ekip efektivësh të Forcës Detare të Shqipërisë do të jetë pjesë e operacioneve të përqendruara (FOCOPS) të NATO-s në detin Mesdhe.

Në ceremoninë e përcjelljes së ekuipazhit, zëvendësshefja e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneralmajor Manushaqe Shehu u shpreh se me këtë mision, “Forca Detare rikthehet të kontribuojë si faktor i rritjes së sigurisë detare, pas një angazhimi të suksesshëm 3-vjeçar nga viti 2016-2019, në aktivitetin e NATO-s Sea Guardian në detin Egje, ku bëri të mundur dhënien e ndihmës për mbi 1800 persona, në rrezik për jetën”.

“Ky është një tregues i qartë për rolin e Shqipërisë si një faktor stabiliteti dhe sigurie në rajon dhe më gjerë. Ndryshe nga misioni i kryer në vitin 2016-2019 në detin Egje, që kishte karakter humanitar, kjo është hera e parë që Forca jonë Detare angazhohet në një operacion të mirëfilltë të rritjes së sigurisë detare”, u shpreh gjeneralmajor Shehu.

Më tej në fjalën e saj, Shehu u shpreh e bindur se efektivi i anijes do të tregojë profesionalizëm, përkushtim dhe korrektësi gjatë kryerjes së detyrave.

Në ceremoninë e përcjelljes së trupave morën pjesë edhe komandantë të forcave të ndryshme.

Latest articles

Related articles