Kryeministri britanik Rishi Sunak tha të martën se emigrantët që do të “hyjnë në Britani me anije të vogla” do të ndalohen dhe do të dëbohen shpejtësi.
Sipas projekligjit të të qeverisë britanike, personave që hyjnë në mënyrë të paligjshme në vend nuk do t’u lejohet të bëjnë kërkesë për azil dhe do të dëbohen në vendet e tyre apo në të ashtuquajturat vende të treta të sigurta.
Ata që hyjnë në mënyrë të paligjshme në vend nuk do të mund të përdorin më ligjet kundër skllavërisë me qëllim që të pengojnë kthimin e tyre.
“Sot po prezantojmë projekligj që e bën të qartë se nëse vini këtu në mënyrë të paligjshme nuk do mund të kërkoni azil. Ne do të ndalojmë ata që hyjnë ilegalisht dhe do t’i kthejmë brenda disa javësh në vendin e tyre ose në një vend të tretë të sigurtë, si Ruanda. Pasi të jeni kthyer, do t’u ndalohet përgjithmonë, ashtu si në Amerikë apo Australi, që të hyni sërish në Britani. Kjo është mënyra se si ne do të shkatërrojmë modelin e biznesit të trafikimit të njerëzve dhe do të rimarrim nën kontroll kufijtë tanë”, tha Sunak.
Zoti Sunak, e ka përcaktuar si një prej pesë përparësive të tij ndalimin e anijeve, pasi numri i emigrantëve që mbërritën në bregun jugor të Anglisë kapërceu në mbi 45 mijë vitin e kaluar.
“Njerëzit duhet të dinë që nëse vijnë këtu në mënyrë të paligjshme do të ndalohen dhe do të dëbohen menjëherë. Kur kjo të ndodhë dhe do ta dinë se po ndodh nuk do të vijnë më dhe anijet do të ndalen”, tha kryeministri Rishi Sunak në një konferencë për shtyp mbi projektligjin që synon të ndalojë qëndrimin e emigrantëve të paligjshëm në Britaninë e Madhe.
Zemërimi mbi rritjen e imigracionit ka luajtur një rol përcaktues në politikën britanike në 10 vitet e fundit dhe konservatorët e kryeministrit Sunak shpresojnë se duke ashpërsuar masat mund të rrisin mbështetjen popullore.
Sipas sondazheve ata kanë një mbështetje prej rreth 20% më të ulët se Partisë Laburiste në opozitë.
“Është krejt e padrejtë për qytetarët britanikë që kanë hapur shtëpitë për refugjatët e vërtetë që tani duhet të shpenzojnë rreth 6 milionë paund në ditë për strehimin e emigrantëve në hotele”, tha Sunak.
Agjencia e Kombeve të Bashkuara për refugjatët tha se ishte “thellësisht e shqetësuar” për propozimin i cili do u mohonte njerëzve të drejtën për azil, “pavarësisht nga sa të vërteta dhe bindëse” mund të jenë rastet.
Qeveria birtanike shkruan në faqen e parë të projekligjit se ai mund të mos përputhet me detyrimet e Britanisë së Madhe në kuadër të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, duke lënë të kuptohet se mund të përballet me sfida ligjore nëse miratohet.
Përfaqësues të opozitës dhe organizatave bamirëse kanë ngritur pikëpyetje nëse planet e fundit të qeverisë do të rezultojnë më të frytshme se përpjekjet e mëparshme në 5 vitet e fundit për të ndalur njerëzit të hyjnë ilegalisht me anije në Britani./VOA