TIRANË- Deputeti i Partisë Demokratike Gazment Bardhi iu drejtua me emra kandidatëve të Primareve dhe tha se të gjithë duhet të dalin me logon e Partisë Demokratike në zgjedhjet lokale të 14 majit. I ftuar në studion e News24 në rubrikën “Opinion”, Bardhi tha se nëse demokratët nuk do gjejnë gjuhën e përbashkët dhe do dalin në zgjedhje me dy kandidatë, kjo gjë do të jetë një dhuratë për kryeministrin Edi Rama. Deputeti përmendi emra si Belind Këlliçi, Igli Cara apo Luçiano Boçi dhe se ata duhet të prezantohen me logon e selisë blu.
“Askush nuk ka thirrur fitore për vendimin e Apelit, por propozimi ynë ka qenë në diskutim në mënyrë të vijueshme. Unë personalisht dhe secili prej kolegëve kemi thënë që cilido vendimi i Apelit do respektohet dhe në këtë rast po e respektojmë. Është e vërtetë që çështja është kthyer për rigjykim. Unë jam i bindur se konflikti ligjor brenda PD ka përfunduar, megjithatë nuk e zgjidh problematikën brenda PD.
Së pari propozimi është bërë publik nga Alibeaj pas mbledhjes sonë, por propozimi është bërë në mënyrë të vijueshme. Nevoja për të dalë me një kandidat në zgjedhje. Këlliçi duhet të jetë kandidat i PD-së në zgjedhje, e kam thënë hapur. Ai do duhet të jetë kandidati i atyre që regjistrohen në KQZ nën siglën e PD. Duke qenë se nuk kemi pasur përgjigje pozitive kemi dalë me atë propozim zyrtar që është i çdo kolegu në grupin parlamentar dhe në Kryesi. Është kolegjial. Secili prej nesh duhet të jetë i përgjegjshëm që brenda kampit opozitar ka dy kandidatë, por fituesi i atyre zgjedhjeve do jetë Edi Rama. A mund të ketë pengesa në zgjidhjen që ofrojmë ne, patjetër që po. Por ne jemi këtu për të ofruar zgjidhje. Unë nuk këmbëngul që të kem domainin e të vërtetës, nëse kandidatët e Primareve konsiderohen fitues nga kolegët le të përqendrohemi që t’i bëjmë fitues edhe në zgjedhje. 14 maji nuk është betejë për PD-në. Ligjërisht është zgjidhur çështja, nuk ka shqiptar që nuk e di. Grupi i Berishës tha vetë që u përjashtuan nga zgjedhjet dhe do gjejnë mënyrën për t’u futur në zgjedhje përmes koalicionit. Të gjithë jemi PD-ja dhe në zgjedhje duhet të shkojmë të gjithë bashkë për të fituar me kandidatët e përbashkët që duhet të mposhtin kandidatët e Edi Ramës. Kjo është retorikë politike, kur thonë që Rama është me ne.
Nëse vazhdojmë me këto debate 70 ditë para zgjedhjeve humbasin velem ne dhe demokratët dhe i bëjmë një dhuratë Edi Ramës. Kemi 6 muaj që nuk përfshihemi në retorikë përçarëse brenda PD-së. Kandidatët sot duhet të kishin një infrastrukturë të plotë. Këto janë debate politike e ligjore. Duhet të fokusohemi se si kandidatët e opozitës së bashkuar të fitojnë zgjedhjet e 14 majit. Si po i bëjmë ne dhuratë Edi Ramës kur themi që duhet të kemi një kandidat? Unë nuk kam një gjykim për këtë, dua të besoj te përgjegjshmëria e secili koleg në PD, nuk është moment për urrejtje dhe konflikt, por duhet të bëhemi bashkë kundër Edi Ramës. A ka gjë më të sinqertë që të thuash se kandidatët e caktuar për Tiranën, Durrësin e Elbasanin duhet të mbështeten nga të gjithë?”- tha Bardhi.