Autoritetet policore në Australi kanë finalizuar të shtunën një operacion madhor, përmes të cilit është mundësuar konfiskimi i sasisë më të madhe të drogës në historinë e vendit.
Zyrtarët vendas kanë njoftuar se bëhet fjalë për 2.4 tonelata kokainë të pastër, që në treg do të kishte kapur vlerën e 1 miliard dollarëve.
Në operacionin e organizuar janë përfshirë oficerë dhe agjentë të policisë australiane, të cilët kanë vepruar pas një sinjalizimi të Administratës amerikane të Antidrogës, DEA.
Droga e nisur nga Amerika Latine ka rezultuar në pronësi të një karteli meksikan dhe planifikohej të hynte në territorin australian përmes plazheve të qytetit të Perthit.
Por agjentët e antidrogës janë treguar më të shpejtë se trafikantët. Ata e kanë kapur lëndën narkotike, e kanë zëvendësuar atë me lëndë gipsi dhe më pas kanë lejuar itinerarin e saj tek porositësit, duke i vënë në pranga.
Tentativa për të futur sasinë rekord të drogës në Australi është vetëm një nga përpjekjet e shumta të trafikantëve për të futur substanca të paligjshme në vend përmes bregut të Australisë Perëndimore.
Vetëm muajin e kaluar, 365 kilogramë kokainë u gjet e paketuar në një varkë të përmbysur në brigjet e lokalitetit Esperans, tregues se vendi po kthehet në një pikë tërheqëse për trafikantët.