Vijon prej orës 11:00 në gjykatën e Apelit seanca gjyqësore lidhur me fatin e Partisë Demokratike.
Ndërsa pritet që trupi gjykues të shprehet se kujt do i takojë vula dhe sigla e PD, ABC News, siguron argumentet që përfaqësuesit ligjorë të PD Alibeaj, avokatët Indrit Sefa dhe Rezart Kthupi, kanë paraqitur sot në seancë për prishjen e vendimit të gjyqtarit Zhukri.
Argumentet e grupimit Alibeaj:
Nga sa analizuar dhe parashtruar më lartë rezulton e qartë që përvec shkaqeve të detajuara shkaqe bazë për pranimin e ankimit dhe pushimin e gjykimit janë:
– Gjykata ka legjitimuar kërkuesin përpara se të vendoste për ligjshmërinë e mbledhjes së Kuvedit Kombëtar, Kuvend në të cilin është krijuar kërkuesi si organ statutor
– Gjykata ka vepruar në kundërshtim të hapur me nenet 193 dhe 392 të Kodit të Procedurës Civile, ndonëse kishte dijeni për ekzistencën e interesit të ligjshëm të një pale tjetër në gjykimin për vërtetimin e faktit juridik.
– Përfaqsuesi i kërkuesit është legjitimuar në gjykim në kundërshtim me dispozitat e nenit 72 të Kodit të Procedurës Civile.
– Formularët mbi të cilët pretendohet së është bërë thirrja e Kuvendit Kombëtar, në momentin e nënshkrimit të tyre nuk kishin në brendësi të tyre datën dhe orën e thirrjes së Kuvendit Kombëtar: se këto të dhëna janë vendosur në një moment të mëpasshëm kohor në mënyrë mekanike të njëjtë për të gjithë formulartë. Ky fakt cënon plotësimin e kushtit të vullnetit të kërkuesve për datën e thirrjes së Kuvendit Kombëtar.
– Nuk ka një organ administrues të procedurës së mbledhjes së formularëve, të hartimit të listës së përgjithshme të delegatëve, të lëshimit të mandateve të Kuvendit Kombëtar apo të drejtimit të fillimit të punimeve të tij.
– Propozimet që i janë adresuar Kuvendit Kombëtar janë në kundërshtim me dispozitat statutore që rregullojnë ndryshimet e statutit.
– Me miratimin e ndryshimeve statutore, pjesa e mbetur e vendimeve të marra nga Kuvendi Kombëtar nuk ishin më kompetencë e tij. Kuvendi i mbledhur duhet të shpërndahej e të mblidhej Kuvendi i ri sipas parashikimeve të Statutit të miratuar.
– Komisioni i Rithemelimit nuk ka tagra përfaqsimi në Gjykatë e për pasojë gjykata duhet të pushonte cështjen objekt gjykimi për mungesë legjitimiteti të kërkuesit.
– Gjykata nuk ka analizuar provat nga ana e formës dhe përmbajtjes dhe relaton në vendim fakte të cilat nuk përputhen me provat që i janë nënshtruar gjykimit apo fakte të cilave nuk u gjendet burimi i marrjes dijeni nga gjykata.
Treshja gjykuese e kryesuar nga gjyqtarja Elona Mihali, do të vendosë sa i përket ankimit të Partisë Demokratike ndaj vendimit të 25 Marsit 2022 të gjyqtarit të Shkallës së Parë, Agron Zhukri. Më 17 Janar, Gjykata e Apelit pushoi gjykimin për çështjen e PD-së, pasi grupimi i Alibeajt u tërhoq nga ankimi për bashkimin e dy statuteve. Gjyqtari Zhukri njohu statusin e Berishës, dalë nga Kuvendi i 11 Dhjetorit 2021.