Një ngjarje e cila mund të përfundonte në tragjedi është parandaluar falë ndërhyrjes së Policisë në Tiranë.
Sipas njoftimit të uniformave blu mësohet se falë ndërhyrjes në kohë nga shërbimet e Policisë së Komisariatit Nr. 6, parandalohet përshkallëzimi i mëtejshëm i një konflikti me armë zjarri.
Është bërë i mundur arrestimi i tre shtetasve, Eris Bulku, Ibrahim Bulku (babë e birë) dhe Noldi Shima.
Këta shtetas janë përfshirë në një konflikt për motive të dobëta. Gjatë përplasjes, Noldi Shimës i ka rënë arma të cilët e kishte me vete në tokë të cilën e ka marrë babai i tij dhe e ka fshehur për të shmangur përgjegjësinë ligjore.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarrit pistoletë me 2 krehra me fishekë, ndërkohë materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Njoftimi i plotë:
Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Prevention”.
Falë ndërhyrjes në kohë nga shërbimet e Policisë së Komisariatit Nr. 6, parandalohet përshkallëzimi i mëtejshëm i një konflikti me armë zjarri.
Vihen në pranga 2 shtetas që u përfshinë në konflikt dhe 1 shtetas tjetër që fshehu armën e zjarrit.
Sekuestrohen 1 armë zjarri pistoletë dhe 2 krehra me municion luftarak.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, pas marrjes së njoftimit për një konflikt me armë zjarri, në fshatin Pezë Helmës, menjëherë kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Prevention”.
Në kuadër të këtij operacioni u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:
– N. Sh., 40 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;
– E. B., 32 vjeç, banues në Pezë-Helmës, për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Moskallëzimi i krimit”;
– I. B., 60 vjeç, banues në Pezë-Helmës, për veprat penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Falë ndërhyrjes në kohë të shërbimeve të Policisë është bërë i mundur parandalimi i konfliktit për motive të dobëta mes shtetasit E. B. dhe shtetasit N. Sh., i cili mbante me vete armë zjarri.
Gjatë konfliktit fizik, shtetasit N. Sh. i ka rënë në tokë arma e zjarrit, të cilën e ka marrë shtetasi I. B. (babai i shtetasit E. B.) dhe e ka fshehur për të shmangur përgjegjësinë ligjore.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarrit pistoletë me 2 krehra me fishekë.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.