Aksidenti në Kroaci ka lënë viktimë 41-vjeçarin Gazmir Korbi. Ai ishte pjesë e Komandës së Forcës Ajrore shqiptare dhe ndodhej me leje të zakonshme, kur autobusi me të cilin udhëtonte u përmbys.
Aksidenti i rëndë u regjistrua rreth orës 23:43 të së shtunës në autostradën ndërmjet Brinje dhe kryqëzimit Ogulin në drejtim të Zagrebit, ku një autobus me targa shqiptare u përmbys në rrugë. Për pasojë humbi jetën 41 vjeçari, i cili ishte pasagjer në autobus, ndërsa 9 persona të tjerë mbetën të plagosur.
Lajmin e bëri të ditur Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, i cili në një postim në rrjetet sociale, shprehu ngushëllimet e tij për familjen e të riut: “I dhimbshëm lajmi i ndarjes nga jeta të Gazmir Korbit, në aksidentin e ndodhur në Kroaci. Ai nuk mundi të kthehej më mes kolegëve të tij në kompaninë e mbështetjes në Komandën e Forcës Ajrore pas lejes së zakonshme. Ngushëllime familjes për këtë humbje të madhe dhe të parakohshme!“