Ka shkuar në 59 numri i viktimave pas incidentit tragjik në brigjet e Italisë Jugore, ku një anije me emigrantë u mbyt.
Incidenti ndodhi në brigjet e Cutro (Crotone) dhe viktimat janë 26 burra, 21 gra dhe 12 të mitur.
Dy binjakë të vegjël janë gjetur të pajetë në det dhe një djalë njëvjeçar në breg të detit. Deri më tani dihet se dyzet e gjashtë trupa janë gjetur në vendngjarje, tre të tjerë në plazhin e Botricello (Catanzaro), tetë në Le Castella, Isola Capo Rizzuto, një në Crotone.
Gjithashtu bëhet me dije se 81 persona u shpëtuan, ku 22 prej tyre janë në spital dhe njëri prej tyre është në gjendje të rëndë.
Ndërsa 59 të tjerët janë në qendrën lokale të pritjes për azilkërkuesit. Megjithatë, sipas informacioneve nga mediat e huaja, numri i viktimave mund të rritet më tej, ndoshta përtej 100.
Sipas disa të dhënave, të mbijetuarit janë rreth 180, ndërsa për shumë të tjerë, janë të paktën 250. Varka ishte e mbingarkuar me emigrantë dhe nuk mundi të vijonte lundrimin në detin e trazuar.
Varka e thyer në dysh nga dallgët u nis 4 ditë më parë nga Izmiri i Turqisë. Anija u pa për herë të parë të shtunën në mbrëmje nga një avion i Frontex në patrullë rreth 40 milje larg bregut të Kalabrisë.
Menjëherë u njoftuan ekipet e shpëtimit dhe një patrullë e një skaf patrullimi nga Guardia di Finanza dolën në det. Kushtet e vështira të detit i penguan ata të arrinin objektivin dhe dy mjetet u detyruan të ktheheshin për të mos rrezikuar sigurinë e ekuipazheve.
Ndërkohë lidhur me ngjarjen është arrestuar një kontrabandist i dyshuar, ndërkohë që hetuesit po bëjnë disa kontrolle për të dhënat e tij, por për momentin nuk është marrë asnjë masë ndaj tij.