Në “Audi Dome” të Mynihut, Gjermani, ka qenë një mbrëmje e jashtëzakonshme për boksierët shqiptar. Plotë shtatë boksier kanë arritur të triumfojnë në përballjet respektive. I fundit dhe më i rëndësishëm ishte Robin Krasniqi.
Krasniqi arriti të fitonte përballë kundërshtarit belgo-çeçen, Timour Kharkohev. Ai e dominoi kundërshtarin, i cili pavarësisht vështirësive në raundin e dytë, shkoi deri në të pestin. Por, nuk mundi të shkonte me tutje. Dhe, kështu fitorja shkoi për Robinin.
Pas fitores, Krasniqi falenderoi mbështetësit shqiptarë, duke thënë “gjithmonë me shpirt dhe zemër kuq e z, më keni mbështetur gjithmonë, jeni forca dhe energjia ime”.
“Ia dedikoj vendit tim. Kam pa disa mysafirë, si Baci Rifat nga familja legjendare. Faleminderit për mbështetje”, vijoi boksieri.
Nata e shqiptarëve në boks
Fillimisht në ring u ngjit, Valon Ahmeti. Ai u përballë me Mamuka Abduladze, të cilin arriti ta mundte me KO në raundin e katërt.
Kushtrim Tahirukaj u përballë dhe fitoi me Nika Gvajava. Ai e mundi kundërshtarin në raundin e katërt me TKO.
Isuf Kelmendi luajti dhe fitoi ndaj Lasha Kupatadze me vendim të gjyqtarëve në raundin e katërt.
Armend Xhoxhaj u ballafaqua me kundërshtarin, Sera, të cilin e mposhti në raundin e tretë.
James Kraft (Musa Avdimetaj) u përballë dhe triumfoi ndaj Vaclav Trojacek. Kundërshtari i tij u dorëzua në raundin e tretë.
Shefat Isufi mposhti argjentinasin Heran Perez, pas 12 raundesh. Ai ruan kështu titullin e kampionit të botës në peshën gjysmë të mesme.