Presidenti rus, Vladimir Putin deklaroi se Rusia po lufton për tokat e saj “historike” në Ukrainë.
Këto deklarata ai i bëri gjatë një tubimi patriotik të organizuar nga shteti në Moskë, në mbështetje të ofensivës në Ukrainë, shkruan REL.
“Sapo dëgjova nga udhëheqja e lartë ushtarake e shtetit se beteja është duke vazhduar për tokat tona historike, për njerëzit tanë”, tha Putin.
Në një adresim të shkurtër para dhjetëra mijëra personave të mbledhur në stadiumin Luzhniki në Moskë, Putin po ashtu lavdëroi ushtarët rusë në Ukrainë, që sipas tij, “po luftojnë në mënyrë heroike dhe të guximshme: ne jemi krenarë me ju”.
Të pranishmit në këtë tubim valëvitën flamuj rus; teksa kjo ngjarje u mbajt dy ditë para përvjetorit të parë të nisjes së pushtimit rus të Ukrainës.
Perëndimi ka mbështetur financiarisht dhe ushtarakisht Kievin, që kur Rusia nisi pushtimin më 24 shkurt 2022.