Red Varaku
Rrotacioni i negociuar i vitit 2013, i cili u firmos me gjakun e katër të vrarëve në 21 janar, ishte një provë ulëritëse që përfundimisht vulosi faktin që marrëveshja e 2008 nuk kishte qenë thjesht një marrëveshje për ndryshime kushtetuese , por kishte qenë një pakt në kurriz të demokracisë.
Largimi i befasishëm i LSI nga koalicioni me PD në 1 prill të 2013 dhe bashkimi i saj me PS, edhe pse midis tyre qëndronte gjaku i katër të vrarëve, rritja e saj nga katër në nëntëmbëdhjetë deputetë, lista e dobët e Berishës në 2013 dhe “fikja” e pashpjegueshme e makinerisë elektorale të PD, përbëjnë prova të pakontestueshme të “dorëzimit” të pushtetit nga Berisha, dhe kjo u bë në këmbim të mosndëshkimit të tij , sepse të gjithë e dimë nivelin e përfshirjes së tij në më së paku dy skandalet më të mëdha të qeverisjes së tij Gërdeci dhe 21 janari, ndërkohë Ilir Metaj ishte garancia që e bënte atë të paprekshëm.
Kjo do të paralajmëronte kthimin e zgjedhjeve në farsë, sepse fituesi do të ishte paracaktuar nga marrëveshja në tavolinë e këtyre dhe kthimin e betejave politike në teatër të mirëfilltë, ndërkohë pushteti do të qëndronte vetëm në duart e kësaj kaste të korruptuar dhe për pasojë demokracia do të ishte thjesht fasadë. Me fjalë të tjera, pavarësisht votimit të qytetarëve pushteti do të vazhdonte të qëndronte në duart e një grushti politikanësh, një grushti oligarkësh, një grushti bandash dhe një grushti mediash apo gazetarësh mercenarë.
Në këtë kuptim, sot nuk ka më dyshim që zgjedhjet e 2013 ishin një mashtrim i madh, sepse ato zgjedhje farsë ishin thjesht një materializim i paktit të zi të 2008, pra një dorëzim i negociuar i pushtetit tek Rama, me miratimin e detyruar të Berishës, ky i fundit “i kapur” nga përfshirja e djalit të tij në Gërdec.
Gjithashtu, edhe bllokimi i rrotacionit në 2021 lidhet me vendimin e këtyre të treve për të ruajtur status quo-në, sepse Lulzim Basha si benjamin politik i SHBA-ve konsiderohej kërcënim i drejtpërdrejtë për fatin e tyre politik, dhe prova për këtë është sulmi i orkestruar nga të tre këta kundër Lulzim Bashës, sulm i sinkronizuar që në thelb tentonte ta portretizonte atë si peng të Rusisë njëri përmes Mcgonigal, ndërsa tjetri përmes një fushate denigruese që prodhoi edhe një komision sharlatan siç ishte komisioni Mandia.
Ishte pikërisht ky pakt për asgjësimin e demokracisë që alarmoi SHBA-të, të cilët u investuan edhe njëherë si në 1990 për shkatërrimin e tij dhe zhbllokimin e sistemit me qëllim rikthimin e demokracisë.
Kjo është arsyeja se pse pikërisht në 2014, një vit pas rrotacionit të negociuar të pushtetit në 2013, që me mbështetjen e drejtpërdrejtë të SHBA-ve fillon menjëherë projekti për një reformë të thellë në sistemin e drejtësisë.
Kjo për faktin se mjetet politike ishin të pamjaftueshme, ndaj Reforma në Drejtësi u konsiderua si i vetmi instrument për të goditur paktin që mbante peng demokracinë.
Kështu është e kuptueshme se pse pas përmbylljes me sukses të shumicës së kësaj reforme ky mekanizëm i ndërtuar nga SHBA-të ka shënjestruar pikërisht individët që konsiderohen si minues të demokracisë Edi Ramën, Sali Berishën dhe Ilir Metën si përgjegjësit kryesorë për korrupsionin, degradimin e shtetit ligjor dhe asgjësimin e demokracisë.
Afera Mcgonical, inceneratorët, check up-i, Gërdeci, 21 janari, CEZ-DIA janë sinjale të qarta që goditja e individëve të përfshirë në aktin e marrjes peng të demokracisë shqiptare janë shënjestruar për tu asgjësuar përfundimisht nga skena politike.
Urdhëri Ekzekutiv i Presidentit Biden kundër korrupsionit, ku për herë të parë përfshihej edhe Shqipëria dhe goditja e individëve të korruptuar përmes instrument të shpalljeve nongrata janë gjithashtu pjesë e strategjisë Amerikane për të zhbllokuar sistemin politik në Shqipëri.
Sigurisht , operacioni Amerikan sapo ka filluar dhe e ka çoroditur jo pak establishmentin e korruptuar të tranzicionit , por ky operacion do të konsiderohet se i ka arritur objektivat e tij ,kur pakti korruptiv që ka marrë peng demokracinë shqiptare të shkërmoqet totalisht dhe përgjegjësit për këtë të marrin ndëshkimin e merituar.
Gjithsesi, një gjë është e qartë: vendimi është marrë, ndërsa ajo që po negociohet është thjesht data dhe ora se kur do të ekzekutohet.