Burg për policët e Durrësit, merrnin 5-100 euro për të kaluar shtetas me probleme në zonën Shengen

Burg pa afat ka caktuar gjykata e Durresit për gjashtë efektivët e policisë të kufirit, të akuzuar për shpërdorim detyre dhe korrupsion.

Isnpektorët Kalosh Sula, Luan Çelaj, Marsel Farruku, Naim Kadrimi, Isametin Vranezi, dhe Eduart Matmuja sipas organit të akuzës lejonin hyrje-daljet e shtetasve që kishin probleme në zonën Shengen apo që kishin tejkaluar afatet kundrejt shumave të ndryshme monetare.

Ata merrnin nga 5 deri në 100 euro, me qëllim që të mos i penalizonin apo t’i kthenin mbrapsht.

Të gjitha këto veprime korruptive, sipas organit të akuzës, kryheshin në mënyrë të vazhdueshme dhe të përsëritur.

Madje prokurorët kane paraqitur prova për disa raste kur policët e akuzuar lejonin kalimin e personave të shpallur në kërkim nga organet e drejtësisë. Gjithashtu ata, mundësonin dhe që shumë automjete të mos i nënshtroheshin kontrollit doganor.

Ndërkohë avokatët mbrojtës kane kërkuar detyrim paraqitje me argumentin se te arrestuarit nuk përbëjnë rrezik për komunitetin.

Kërkesë kjo që nuk eshte pranuar nga trupi gjykues i cili vendosi të lërë në fuqi kërkesën prokurorisë, duke dhënë burg pa afat për 6 efektivët e policisë së kufirit.

Në hetim për këtë çeshtje janë vendosur dhe 20 persona, të cilët janë kapur duke u dhënë para policëve të portit të Durrësit.

Latest articles

Related articles