Klementin Mile
“Revolucioni demokratik” ishte fraza që prodhoi lëvizja me emrin “Foltore” kur bashkoi forcat me partinë e sapokrijuar mbi rrënojat e LSI-së, atë që sot mban emrin “Partia e Lirisë”. Siç e dëshmojnë këto zhvillime, emërtimet kanë patur vërtet rëndësi, madje kanë qenë thelbësore, në këtë fazë të politikës opozitare.
Politika është justifikim. Thënë ndryshe, veprimet në politikë, qëndrimet dhe vendimet duhet të shihen si të përshtatshme e funksionale nga anëtarët dhe elektorati në raport me qëllimin normal të marrjes së pushtetit. Por, që të justifikohen, veprimet kanë nevojë të emërtohen në atë mënyrë që të fokusojnë vëmendjen diku dhe ta largojnë nga diku tjetër.
Kështu, “revolucioni demokratik” i “Foltores” erdhi si nevojë e formacionit të udhëhequr nga Berisha për të dhënë idenë e një opozite “reale” dhe “aktive” (prandaj “revolucion”) e ndryshme nga ajo e Bashës që ishte “në marrëveshje me Ramën” dhe “pasive”, e drejtuar nga një “peng-kryetar”, por, nga ana tjetër lëvizja e “Foltores” duhet të qetësonte edhe ndërkombëtarët, sidomos në kushtet e shpalljes “non-grata” të liderit të saj, prandaj dhe duhet të operonte brenda kushtëzimeve kushtetuese të vendit (prandaj “demokratike”).
Nga pikëpamja logjike “revolucioni demokratik” është paradoks, është bashkimi i dy gjërave që nuk ka sens të rrinë bashkë. Në revolucion nuk ka vend për demokraci dhe në kushtet e demokracisë nuk ka nevojë për revolucion. “Foltorja”, me ligjërimin e saj mediatik arriti ta mjegullojë për disa kohë këtë paradoks, arriti ta fshehë si të tillë, të paktën në radhët e militantëve të saj dhe, natyrisht, më pak në radhët e elektoratit. Me këtë rast, një kompliment i madh për retorikën e përdorur duhet t’u shkojë të gjithë atyre që u angazhuan për artikulimin publik të kësaj kauze, me në krye vetë Berishën.
E megjithatë, mjeshtëria retorike e përdorur nuk mund ta mbajë më gjatë si instrument justifikimi “revolucionin demokratik”. Jo vetëm vendimarrja gjyqësore për vulën dhe logon e Partisë Demokratike në fillim të marsit dhe pasiguria nëse do t’i njihet e drejta “Rithemelimit” apo “Alibashës”, por mbi të gjitha afrimi i shpejtë i zgjedhjeve lokale të organizuara nga “regjimi i Ramës”, janë ngjarje që po e ekspozojnë gjithmonë e më tepër, edhe para syve të militantëve, që “Foltorja” duhet të ndajë mendjen (dhe strategjinë) nëse do të përballet me Ramën përmes metodave “revolucionare” apo “demokratike”.
Kombinimi i protestave (“revolucionare”) me fushatën zgjedhore (“demokratike”) nuk mund të funksionojë sepse njëra nuk e përforcon dhe nuk i shërben tjetrës. Partia politike ka për detyrë të formulojë një alternativë ndaj qeverisë, është populli ai që proteston, ndaj qeverisë kryesisht, por edhe ndaj opozitës ndonjëherë, kur është i pakënaqur dhe i indinjuar.
“Revolucioni demokratik” i shërbeu “Foltores” për të mbajtur pas vetes për disa kohë militantët dhe për t’u legjitimuar përballë “Alibashës”, por nuk mund t’i shërbejë për t’u përballur politikisht me Partinë Socialiste të “njëmijë e një skandaleve”. Banka e ideve të koalicionit opozitar duhet të prodhojë diçka të re, qoftë kjo në shinat e “revolucionit” ose në ato të “demokracisë”. Përndryshe, “mishin e huaj” demokratik në trupin e “revolucionit”, ose “mishin e huaj” revolucionar në trupin e “demokracisë” do ta vënë re të gjithë.