Rama mori Vaksina nga Putin. Ja dokumenti

Informacioni zyrtar i institucioneve shqiptare mbi shtetet që kanë furnizuar Shqipërinë me vaksinat e Covid-19 mbetet edhe sot e kësaj dite i diskutueshëm. Kjo edhe pse kanë kaluar të paktën 2 vite nga nisja e procesit të vaksinimit në popullsi. Së fundmi Ministria e Shëndetësisë informoi Faktojen se Shqipëria nuk ka marrë asnjë vaksinë nga Rusia, prej nisjes së pandemisë. Faktoje vërtetoi përmes dokumentave zyrtare shtetërore se ky është një informacion i pavërtetë.

Jona Plumbi

Tema e vaksinave kundër Covid-19 dhe shteteve që furnizuan Ballkanin Perëndimor gjatë pandemisë, u përdor si mjet diplomatik për shtrirjen e ndikimit në vende të ndryshme, në mjet presioni kundrejt Bashkimit Europian, apo edhe një ‘kartë’ politike nga drejtuesit e qeverive.

Përdorimi politik i vaksinave Covid-19

Kështu ndodhi edhe në Shqipëri. Kryeministri Rama e përdori çështjen e vaksinave për të marrë pikë politike kur i tha mediave: “Një nga arsyet pse Shqipëria mori vaksina, është se keni Edi Ramën kryeministër!”

Deklarata të tilla gjetën hapsirë për të bashkëjetuar për shkak se pjesa më e madhe e marrëveshjeve dhe kontratave të lidhura mes shtetit shqiptar dhe ofruesve të vaksinave kundër Covid-19, janë quajtur nga Kryeministri dhe qeveria si sekret tregtar.

Faktoje është interesuar disa herë pranë Ministrisë së Shëndetësisë lidhur me numrin apo origjinën e vaksinave kundër Covid-19, me qëllim për të hedhur dritë mbi informacione që gjatë viteve të para të vaksinimit ishin jo publike.

Ministria: “Asnjë vaksinë nga Rusia dhe Kina”

Një përgjigje e Ministrisë së Shëndetësisë, e datës 26 Janar 2023, për Faktoje konfirmonte: “Nga shteti kinez apo rus nuk kemi marrë asnjë vaksinë që prej nisjes së pandemisë.

Në lëmin e shumë lajmeve dhe mungesës së informacionit zyrtar, Faktoje vendosi të verifikojë nëse Shqipëria ka marrë ndonjëherë vaksina drejtpërdrejt nga shteti rus. Rezultati tregoi se Shqipëria ka marrë vaksina nga kontrata të lidhura drejtpërdrejt me kompani shtetërore ruse, ndaj informacioni i dhënë nga Ministria e Shëndetësisë është i pavërtetë.

Si i mori Shqipëria vaksinat nga Rusia?

Qeveria në Shkurt 2021 deklaroi se Shqipëria nuk do të marrë vaksina ruse apo kineze nëse ato nuk certifikohen nga BE-ja. Rusia u vetofrua që në Dhjetor 2020 për të negociuar shit-blerjen e vaksinave ruse. Në rrjetin social Facebook, Ambasada e Rusisë në Shqipëri publikoi një letër të hapur për drejtorin e informacionit të Kryeministrisë, Endri Fuga, të cilin e ftonte të negocionte me Rusinë për blerjen e vaksinave “Sputnik-V”.

Kryeministri Rama, asokohe e quajti ftesën si një shaka pa kripë.

Provokim për të cilin duhet të kërkojnë ndjesë” – tha ai i pyetur për mendimin që kishte mbi ftesën publike të ambasadës ruse. Por dy muaj më vonë, në Prill 2021  në Shqipëri erdhën vaksinat e para ruse.

Si erdhën në Shqipëri vaksinat nga Rusia?

Në 13 Prill 2021 në fletoren zyrtare u publikuan vendimet e Këshillit të Ministrave të datës 7 Prill 2021. Ndër to ishte edhe miratimi i marrëveshjes mes shtetit shqiptar dhe “Human Vaccine” LLC për furnizimin e Republikës së Shqipërisë me vaksinën ruse kundër COVID-19 “Sputnik V”.

*faksimile e vendimit të Këshillit të Ministrave per marrjen e vaksinave nga rusia
*faksimile e vendimit të këshillit të ministrave per marrjen e vaksinave nga rusia

Në 30 Prill 2021, në faqen zyrtare të vaksinës Sputnik, Fondi Rus i Investimit Direkt, RDIF (fondi sovran i pasurisë së federatës Ruse) njoftoi se Ministria e Shëndetësisë në Shqipëri aprovoi përdorimin e vaksinës ruse Sputnik V dhe se vaksinat e para tashmë kishin arritur në Shqipëri.

Njoftimi i faqes zyrtare të SPUTNIK për miratimin e vaksinës ruse nga Ministria e Shëndetësisë Shqiptare
*Njoftimi i faqes zyrtare të SPUTNIK për miratimin e vaksinës ruse nga Ministria e Shëndetësisë Shqiptare

Edhe kjo marrëveshje u quajt sekret tregtar nga qeveria shqiptare dhe nuk u bë publike.

*pjesë nga VKM-ja për lidhjen e marrëveshjes
*pjesë nga VKM-ja për lidhjen e marrëveshjes

Edhe pse sipas VKM-së është kompania Human Vaccine LLC ajo që ka kërkuar mos- publikimin e marrëveshjes, Faktoje gjeti në rrjet marrëveshje të tjera të kësaj kompanie, të lidhura në të njëjtën periudhë si ajo me shtetin shqiptar, për të njëjtin qëllim: shit-blerjen e vaksinave kundër Covid-19.

Çfarë është Human Vaccine LLC?

Marrëveshja e lidhur mes Human Vaccine LLC dhe Ministrisë së Shëndetësisë në Sllovaki, në hyrje të kontratës sqaron edhe statusin e kompanisë Human Vaccine. Ajo është e regjistruar sipas ligjeve të Rusisë dhe menaxhohet nga “RDIF Corporate Center Limited Liability Company”.

*faksimile e kontrates per shit-blerje të vaksinave ruse mes Human Vaçine LLC dhe Sllovakisë
*faksimile e kontrates per shit-blerje të vaksinave ruse mes Human Vaccine LLC dhe Sllovakisë

Pjesë e kontratës është edhe një letër për Ministrinë e Shëndetësisë Sllovake, e cila jep garanci mbi sigurinë që ofron kompania Human Vaccine LLT. Arsyeja për këtë garanci shtetërore është fakti se kompania Human Vaccine LLC është në pronësi dhe kontroll të plotë të Rusisë dhe qeverisë së saj.

Për vaksinat ruse nga kompania Human Vaccine LLC, e kontrolluar nga qeveria ruse, Shqipëria pagoi pak më shumë se 500,000 euro për blerjen dhe transportin e tyre nga Rusia.

Përfundimi?

Ministria e Shëndetësisë dha një informacion të pavërtetë kur njoftoi Faktojen se shteti shqiptar nuk ka marrë asnjë vaksinë nga Rusia. Faktoje verifikoi përmes dokumentave publike zyrtare të të dy shteteve faktin se jo vetëm Shqipëria ka marrë vaksina nga Rusia, por kjo ka ndodhur përmes një kontrate të drejtpërdrejtë mes shtetit shqiptar dhe Human Vaçine LLC, një filial tërësisht në pronësi të Fondit të Investimeve Direkte Ruse (RDIF), thënë ndryshe, në pronësi të vetë Rusisë. Sot, ky fond, është pjesë e listës së sanksioneve të vendosura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas nisjes së luftës në Ukrainë, pikërisht sepse është fond sovran i Federatës Ruse.

Latest articles

Related articles