Katastrofa e Chernobyl 1986/ Çfarë ndodhi në Shqipëri! Cilat qytete e zona të vendit u prekën

Mesnata e 25-26 prillit të vitit 1986 mund të konsiderohet si një nga netët më katastrofike në historinë e shekullit të 20-të! Një prej reaktorëve të centralit bërthamor që prodhonte energji në veri të Ukrainës shpërtheu papritur duke shkaktuar viktima e duke ngritur lart një re të dendur radioaktive.

Ky aksident konsiderohet si një prej katastrofave më të rënda në histori si për pasojat, ashtu edhe për numrin e viktimave. Reja e dendur radioaktive nisi të shpërndahej në Rusi e Ukrainë për të vijuar më pas edhe Francë, Itali e deri në Shqipëri.

Ky aksident konsiderohet si një ngjarje që ndryshoi rrjedhën e historisë. Helmimi radioaktiv dhe rrezikshmëria që sillte energjia bërthamore bënë që shumë shtete t’i largoheshin kësaj teknologjie për prodhimin e energjisë.

“Ashtu si shumë vende të tjera, Shqipëria e mësoi me vonesë lajmin për katastrofën që kishte ndodhur në Cernobil natën e 25-26 prillit 1986. Aparaturat e matjeve rutinore të vendeve europiane kishin arritur të kapnin radioaktivitet të shtuar duke ngritur alarmin për atë që kishte ndodhur, një alarm që arriti përmes medias në Tiranë, shumë më herët sesa reja radioaktive” shprehet profesor doktor Edmond Panariti, asokohe pjesë e grupit të punës që u ngrit për përballimin e emergjencës.

Disa eksperimente bërthamore globale që ishin kryer në mesin e viteve ’70 kishin bërë që Shqipëria asokohe të ngrinte një rrjet të tërë monitorimi periodik të nivelit të radioaktivitetit.

Rrjeti i monitorimit periodik të radioaktivitetit, i cili ekzistonte prej vitit 1977, përfshinte 11 pika kontrolli të ngritura nga Instituti i Fizikës Bërthamore në Bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes, përmes të cilave bëhej marrja e përditshme e mostrave të ujit nga lumenjtë, sidomos të atyre që komunikonin me territore të shteteve të huaja si dhe të ujit të detit.

Njëkohësisht bëhej mbledhja e depozitimeve atmosferike në dy pika në Tiranë dhe Korçë. Mostrat ujore dhe ato të depozitimeve atmosferike silleshin çdo dy javë në Institutitin e Fizikës Bërthamore ku përcaktohej niveli dhe përmbajtja e radioaktivitetit me një sistem matës të ndjeshëm.

Ky lloj kontrolli për kushte normale cilësohej si i mjaftueshëm dhe i ngjashëm me atë që bënin vende e tjera. Veç matjeve që bënte Instituti i Fizikës Bërthamore një sistem i tërë pajisjesh dozimetrike më pak të ndjeshme ishin të shpërndara në të gjithë vendin dhe ato përdoreshin nga ushtria.

Krahas sistemit të monitorimit, Shqipëria kishte miratuar në vitin 1985, vetëm 1 vit para aksidentit teknologjik të Cernobilit edhe një plan emergjence në raste sulmi bërthamor. E ky plan emergjence do të vihej në zbatim në fillimin e majit të vitit 1986, si rrjedhojë e ndryshimit të papritur.

“Lajmi e kishte marrë dhenë në një rrugë tjetër. Radiokativiteti kishte nisur të shfaqej në ato shtete rreth: Austri, Çeki, Poloni. Lajmi doli në media, që ka ndodhur, kjo etj . Një komunikim me agjencinë ndërkombëtare të energjisë atomaike dhe ata na informuan” tregon Prof.dr Përparim Fuga, ish drejtor i Institutit të Fizikës Bërthamore, asokohe pjesë e grupit të punës që ishte ngritur për përballimin e emergjencës.

“Shërbimi suedez dhe norvegjez dha alarmin sepse bashkimi sovjetik i asaj kohe as nuk kishte ndërmend ta bënte publike dhe gjithçka ishte ruajtur në një sekret hermetik. Nuk donte që bota ta merrte vesh këtë incident të rëndë bërthamor. Por kjo ishte e pamundur, pasi pas matjeve në ajër nga shërbimet e Suedisë dhe Norvegjisë u lajmërua. Kështu, ky sekret nuk mbahej dot më i fshehur prandaj Bashkimi Sovjetik u detyrua të lajmëronte fillimisht Agjensinë e Energjisë Atomike në Vjenë dhe të shpallte një aksident të rëndë bërthamor në centralin e Çernobilit. Fatkeqësisht erërat ndryshuan drejtim. Pra në datën 27, 28, 29 Prill erërat lëvizën kryesisht drejt perëndimit dhe veriut dhe më pas reja radiokative nisi të lëvizë në Europën Juglindore” tregon Pr.dr Edmond Panariti.

“Instituti që më herët, me të marrë vesh për aksidentin, kishte filluar të merrte disa masa, pavarsisht se nuk kishte ndonje përvojë, apo eksperiencë. Kishte filluar të merrte kampione ajri. Të cilat me anë të një pompe ajri, të cilat futeshin në filtra dhe mateshin çdo ditë, që nga data e aksidentit nisi ky monitorim nga instituti. Në maj filtri shfaqi radioaktivitet” tregon prof.dr.Përparim Fuga

Ardhja e resë radioaktive nga Cernobili në Shqipëri

Lajmi se mbi Shqipëri mbërriti reja radioaktive e Cernobilit shkaktoi jo pak ankth në popullatë, por edhe te udhëheqja e kohës. Duke ndjekur planin e emergjencës, u ngrit menjëherë Komisioni i Mbrojtjes së Mjedisit.

“Institucioni kishte tre rrjete monitorimi, (që nuk ishin të ngritura për aksidentin, por për qëllime të tjera), rrjetin e emeregjencave që konsitonte në monitorimin e ajrin, (duke marrë kampione ajri dhe matje radioaktiviteti). Pas këtij aksidenti ky rrjet u zhvillua dhe u ndërtuan 5 stacione. Një Kukës, Shkodër, Korçë, Tiranë në Vlorë e Gjirokastër, të cilat masnin radioaktivitetin e ajrit dhe e transmetonin në kohë reale. Kishte rrjetin e matjeve ambjentale, ishin 11 pika të vendosura në reparte ushtarake buzë lumit ku merreshin kampionet dhe një herë në dy javë analizoheshin në Institutin e Fizikës Bërthamore.

Ky ishte një tregues shumë i mirë sepse në mënyrë të vazhdueshme matej radioaktiviteti. Pse në ujra? Sepse gjithçka shkonte në lumej ose në det. Dhe rrjeti i tretë ishte rrjeti i matjeve të dozimetrisë të punonjësve që ishin të angazhuar në veprimtari në fushën e fizikës bërthamore. Këto 3 rrjete u aktivizuan menjëherë” tregon pr.dr Përparim Fuga.

“Unë kam qenë në atë kohë punonjës kërkimor shkencor në Insitutin e Kërkimeve Veterinare në një sektor që kishte emërtimin e Radiobiologjisë së Rrezatimeve. Në atë kohë ne kemi pasur struktura të posaçme që merreshin me studimet e ndotjes radioaktive, rrezatimit jonizues në rastin e një lufte bërthamore. Kjo luftë nuk ndodhi ndonjëherë, por ndodhi ky shpërthim që mund të themi ishte një mini luftë bërthamore, pasi metodologjia e trajtimit është e njëjtë, prandaj ne ishim të parët në radhë të kësaj historie. Kemi bashkëpunuar ngushtë me Insitutin e Fizikës Bërthamore, për të cilët kam një konsideratë të veçantë për fizikantët që u morën me matjet dhe studimet e radioaktivitetit në tokë, ujë, ajër dhe ushqim pasi qartazi reja radioaktive na përfshiu” shprehet pr.dr. Edmond Panariti.

Këshilli i Ministrave kërkoi menjëherë një raport për situatën e radioaktivitetit në Shqipëri. Ja se si e përshkruan situatën Ministri i Shëndetësisë Ajli Alushani që drejtonte Komisionin e Mbrojtjes së Mjedisit në një raport që mban datën 3 maj 1986.

“Lidhur me avarinë e centralit bërthamor sovjetik, kontrolli i filluar menjëherë nga Instituti, ka treguar se deri në orën 14 të datës 30.4.1986 nuk u ndje ngritje aktiviteti radioaktiv. Në matjet e datave 1 dhe 2 maj të këtij muaji rezulton një nivel radioaktiviteti 2 deri 3 herë më i lartë se niveli bazë. Kjo është shumë më e ulët se niveli i rrezikshmërisë” shkruhej në dokument.

Latest articles

Related articles