Policia e Durrësit ka vënë në pranga një 37-vjeçar, i cili është kapur në flagrancë me lëndë narkotike në automjetin që drejtonte. Sipas bluve të qytetit bregdetar, është proceduar penalisht edhe pasagjeri që ndodhej në mjet me të, për moskallëzim krimi.
“DVP Durrës/Policia, kontrolle të shtuara për parandalimin dhe goditjen e shpërndarjes së lëndëve narkotike. Si rezultat i kontrolleve u arrestua në flagrancë një 37-vjeçar që kishte fshehur kanabis në automjetin që drejtonte. Procedohet penalisht dhe pasagjeri në automjet.
Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e siguruara përmes inteligjencës informative, arrestuan në flagrancë shtetasin A. K., 37 vjeç, banues në Durrës. Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin shtetasin italian M. R., 30 vjeç.
Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit në automjetin tip “Citroen”, me drejtues shtetasin A. K. dhe pasagjer shtetasin M. R., kanë gjetur të fshehur një sasi lënde të dyshuar narkotike cannabis sativa, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.”