Nga ESMERALDA KETA
Anemik dhe i pafinancuar, sistemi shëndetësor shqiptar po përballet me një tkurrje drastike të personelit mjekësor si pasojë e emigracionit. Në tre vitet e fundit pranë “Urdhrit të Mjekut”, rreth 500 mjekë kanë tërhequr “certifikatën e sjelljes së mirë” një dokument kyç për të ushtruar profesionin në vendin ku shkon, ndërsa pranë “Urdhrit të Infermierit” ky dokument është tërhequr nga 2 mijë infermierë.
Ai është shumë i ri në moshë, por lodhja, vështirësitë, bredhja me orë të tëra nga një familje në tjetrën, nga njëri fshat te tjetri, në shi e në borë, dimër apo verë, kur ka rënë dielli pas pllajave, apo kur ngrihet nga lindja tek prek lehtshëm shpatet e larta, i kanë shtuar disa vite jetë në pamjen e tij fizike.
Në fund, duhet të gjejë kohën të kthehet te vatra familjare, ku e presin dy prindërit, që e shohin si dritën e syve në atë fshat të braktisur tanimë prej të rinjve. Thuajse ka mbetur i vetëm, si i fundit i mojkanëve në atë zonë të thellë të Tropojës, në Lekbibaj.
Arturin e gjen sa duke dhënë sqarime për vizitorët që duan të shohin bukuritë e zonës, e aq tek kujdesi si infermier që është për ata që kanë nevojë. Zona ka shtrirje të gjerë, e përpos mrekullisë natyrore që i ka falur zoti me bujari të madhe, ka edhe njerëz punëtorë, por çdo ditë e më shumë braktiset nga ata që duhet ta duan më shumë.
Artur Aliaj është infermieri që ushtron profesionin në këto zona të thella. Qendrat shëndetësore janë thuajse të amortizuara. Distancat janë me kilometra të tëra, shumë larg njëra tjetrës. Terreni i thyer i zonës nuk e ka penguar të udhëtojë shtëpi më shtëpi për të dhënë ndihmën e parë.