Dy të arrestuar në Elbasan, iu sekuestrohen armë dhe benzinë


Policia e Elbasanit ka arrestuar dy persona të cilët dyshohet se do të kryenin një vepër të rëndë penale.

Në pranga përfunduan Arben Spahiu, 53 vjeç, dhe Arsen Preçi, 44 vjeç. I pari akuzohet për “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”; i dyti akuzohet për “Mbajtja dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

“Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, bazuar në informacionet e siguruara përmes inteligjencës policore, për një ngjarje të mundshme kriminale, kanë organizuar operacionin policor të koduar “Inteligjenca”.

Në kuadër të operacionit u ngritën pika të shumta kontrolli dhe u ushtrua kontroll në ambiente të ndryshme të cilat dyshohej se shërbenin për fshehjen e sendeve dhe mjeteve me të cilat mund të kryheshin veprimtari kriminale.

Pas kontrollit në terren, në lagjen “Emin Matraxhiu”, në zonën e quajtur “Ish-konservimi”, shërbimet e Policisë gjetën një automjet tip “BMË X6”, brenda të cilit u gjetën 3 armë zjarri kallashnikov dhe 2 bidonë me lëndë djegëse (benzinë). Gjithashtu, në afërsi të një koshi mbeturinash, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një çantë, brenda së cilës kishte një armë zjarri pistoletë.

Personat e dyshuar, për shkak të presionit policor në terren, fshehën automjetin me të cilin qarkullonin, armët e zjarrit, bidonët me benzinë dhe mjete të tjera me të cilat do të kryenin krimin”, tha policia.

Për hetimin e thelluar të këtij rasti është duke punuar një grup i posaçëm hetimor, i përbërë nga specialistët më të mirë të hetimit të krimit të DVP Elbasan, specialistët e Drejtorisë për Krimet e Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale dhe ekspertët e Institutit të Policisë Shkencore, nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit, me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor, identifikimin dhe kapjen e të gjithë personave të përfshirë. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Latest articles

Related articles