Financial Times
Shqipëroi: z. Erton Duka.
Policia shqiptare çmontoi më shumë se 500 kamera të paligjshme vëzhgimi që dyshohet se janë ngritur nga agjentura e krimit ordiner për të monitoruar qytetarët dhe forcat e rendit, dhe çdo entitet tjetër shtetëror, në një skandal që nxjerr në pah fuqinë e rrjeteve kriminale në kombin e vogël ballkanik.
Kamerat, rreth gjysma e të cilave ishin montuar në kryeqytetin Tiranë, u zbuluan gjatë një hetimi të nxitur nga një mjet shpërthyes i shpërthyer pranë shtëpisë së një oficeri policie në qytetin verior shqiptar të Shkodrës.
Ndikimi i bandave kriminale është përmendur ndër arsyet kryesore që shqiptarët të largohen nga vendi i tyre dhe të shpërngulen në vende të tjera evropiane, përfshirë Britaninë e Madhe.
Kamerat e vendosura nga persona apo grupe kriminale kishin për qëllim edhe marrjen e informacionit për lëvizjet e policisë.
Agjentura e krimit ordiner përdori kamerat e kontrolluara nga distanca për të monitoruar rivalët dhe lëvizjet e policisë për të kaluar përpara zbatimit të ligjit, sipas një raporti nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese, i cili citonte vendasit që dëshmonin për “raketat, kërcënimet dhe frikën” e bandave me të cilat duhet të jetojnë çdo ditë.
Kryeministri tha se operacioni policor ishte “pak si një situatë Catch-22 pasi akuzohemi se nuk kemi marrë masa dhe akuzohemi gjithashtu kur marrim masa”.
“Fakti që policia veproi për këtë çështje, problem prej dekadash, do të thotë se qeveria është e prirur dhe e fokusuar në luftimin e krimit të organizuar”, tha Rama.
Ai shtoi se jo të gjitha kamerat ishin të lidhura me rrjetet kriminale dhe se “disa ishin për përdorim individual, megjithëse jo të ligjshëm”.
Ish-ministri i Jashtëm dhe i Drejtësisë tha se grupet kriminale kishin ndërtuar një rrjet global të trafikut të narkotikëve dhe po pastronin paratë në Tiranë. Kartelet shqiptare të drogës punësojnë dhjetëra mijëra familje në vend për të rritur marijuanën, tha ai, duke përdorur paratë, lidhjet dhe lidhjet me Evropën Perëndimore për të operuar gjithashtu një rrjet global të kontrabandës së heroinës dhe kokainës.
Kryeministri i kundërshtoi këto deklarime, duke thënë se “Kultivimi i kanabisit ka rënë në mënyrë drastike dhe operacionet e suksesshme policore në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë”. . . flasin për rritjen e efektivitetit në luftimin e krimit ndërkombëtar dhe atij të brendshëm”.
Vitin e kaluar Komisioni Evropian kritikoi Shqipërinë, një kandidate në Bashkimin Europian, për një ligj të propozuar që ofron amnisti për depozitat deri në 2 milionë euro në bankat shqiptare pa gjoba, duke taksuar transfertat deri në 10 për qind.
Një raport i Departamentit të Shtetit të SHBA i lëshuar vitin e kaluar tha se Tirana duhet të vazhdojë përpjekjet për reformën në drejtësi, të forcojë rregulloret dhe mbikëqyrjen kundër pastrimit të parave dhe të punojë për të gërryer ndikimin e krimit të organizuar. “Krimi i dhunshëm në Shqipëri shoqërohet shpesh me krimin e organizuar,” tha ai. “Gjyqtarët, prokurorët, policia dhe gazetarët kanë qenë subjekte frikësimi”.