Shkeljet rrugore/ Mbi 1 milion gjoba për drejtuesit e mjeteve gjatë vitit 2022

Nëse zotëron një automjet, gjasat janë që vitin e kaluar të kesh marrë një numër më të madh gjobash se ndonjëherë. Policia rrugore dhe ajo bashkiake u treguan më dorëlëshuar në vënien e masave administrative për automjetet gjatë vitit 2022, ku shifra arrin në 1 milion e 42 mijë.

Shifra është mbresëlënëse, duke llogaritur faktin se për disa muaj, të dy autoritetet patën probleme me sistemin për shkak të sulmeve kibernetike nga ana e hacker-ave iranianë.

Ministria e Brendshme raporton se gjobat e vendosura nga jelekët e gjelbër arritën vitin e kaluar në mbi 749 mijë, me një rritje prej 46% krahasuar me vitin 2021. Qëndrimi i gabuar i mjetit, tejkalimi i shpejtësisë dhe mosvendosja e rripit janë arsyet kryesore të vendosjes së këtyre masave administrative. Ndërsa, rritje e ndjeshme e ndëshkimeve është shoqëruar me një ulje të numrit të aksidenteve rrugore vitin e kaluar, si edhe këtë fillim viti.
Policia Bashkiake e Tiranës ndërkohë raporton një shifër totale prej 293 mijë gjobash rrugore vitin e kaluar, në rënie me 11% krahasuar me 2021-in. Por nëse nga llogaria heqim muajt qershor, shtator dhe tetor, me probleme në sistem, atëherë rezulton se bashkiakët janë treguar më agresivë, duke vendosur 18% më shumë gjoba. Gjobat brenda Tiranës lidhen thuajse tërësisht me parkimin e gabuar.

Rritja e gjobave lidhet si me shtimin e numrit të automjeteve në rrugë, ashtu edhe me numrin e lejeve të drejtimit. Sipas të dhënave të DPSHTRR, kemi 1 milion e 13 mijë patenta aktive, që do të thotë se çdo drejtues ka marrë mesatarisht 1 gjobë vitin e shkuar.
Me një mesatare prej 1,500 lekësh për çdo shkelje, shkeljet kapin një vlerë totale prej së paku 1.56 miliardë lekësh, apo 13.5 milionë eurosh.

Latest articles

Related articles