Ky është një fjalim i mbajtur në Akademinë Franceze, më 1 mars 2011, gjatë konferencës me temë: “Sfidat e reja të edukimit”, nga filozofi francez Michel Serres.
Përpara se të përpiqemi që dikujt t’i mësojmë gjësend, së paku duhet ta njohim.
Kush shkon sot në shkollë, në kolegj, në lice, në universitet?
– I –
Ky shkollar i ri, kjo studente e re nuk kanë parë kurrë viç, lopë, derr dhe as zogj klloçke. Më 1900-ën, pjesa dërrmuese e njerëzve në këtë planet merreshin me bujqësi dhe me blegtori; në 2010-ën, në Francë, sikurse në vendet e ngjashme me tonin, fshatarët nuk janë më shumë se një për qind. Nuk ka dyshim se tek ky fakt duhet të shohim një nga çarjet më të mëdha të historisë, pas neolitit. Dikur kultura u referohej praktikave gjeorgjike, sot ajo ka ndryshuar.
Ajo apo ai që unë po ju paraqes nuk jeton më mes të gjallëve, nuk banon në të njëtën Tokë, nuk ka, pra, të njëjtin raport me botën. Ai apo ajo nuk shohin gjë tjetër veç naturës idilike të pushimeve, dëfrimeve ose turizmit.
– Banon në qytet. Shumica e paraardhësve të tij të drejtpërdrejtë jetonin në fshat. Por, ai është bërë i ndjeshëm ndaj çështjeve të mjedisit. I kujdesshëm, ai ndot më pak se ne të tjerët, të rriturit e pandërgjegjshëm dhe të dashuruar me vetveten.
Ai nuk jeton më në të njëjtën botë fizike dhe jetësore, as në të njëjtën denduri të popullatës, duke qenë se shifra e demografisë kërceu si papritur në rreth shtatë miliardë njerëz.
– Ai do të jetojë, të paktën, deri në tetëdhjetë vjet. Në ditën e martesës, stërgjyshërit e tij i betoheshin shoqi-shoqit për besnikëri, e cila me pahir mund të zgjaste një dhjetëvjeçar. Kur ai dhe ajo e ndajnë mendjen të jetojnë bashkë, do të mund t’i betoheshin dot njëri-tjetrit për besnikëri 65-vjeçare? Prindërit e tyre e gëzonin trashëgiminë rreth të tridhjetave, atyre do t’u duhet të presin pleqërinë për të përfituar nga testamenti.
Ata nuk bëjnë më të njëjtën jetë, nuk jetojnë më të njëjtat vite, nuk njohin më të njëjtën martesë, as të njëjtën trashëgimi të pasurisë.
– Qysh prej gjashtëdhjetë vjetësh, një hark kohor i papërsëritshëm në historinë tonë, ai dhe ajo nuk njohën kurrë luftë; edhe pak dhe po kaq vite pa luftë do t’i mbushin edhe drejtuesit e mësuesit e tyre. Falë përparimeve në mjekësi dhe farmaci, zbulimit të barnave qetësuese dhe anestezikëve, po të flasim me statistika, ata kanë vuajtur më pak se pararendësit e tyre. A e dinë vallë ata se ç’do të thotë uri?
Pra, morali i dikurshëm, fetar apo laik, mund të përmblidhej në stërvitjen e vullnetit për të duruar ca dhimbje të pashmangshme dhe të përditshme: sëmundjet, urinë, mizorinë e botës.
Nuk kanë më të njëjtin trup, as të njëjtën sjellje; asnjë i rritur nuk diti dhe as nuk mundi t’u frymëzonte dot moralin e duhur.
– Ndërsa paraardhësit e tyre ngjizeshin kuturú, lindja e tyre është e programuar. Ngaqë mosha mesatare e nënave, kur sjellin në jetë fëmijën e parë, është rritur me dhjetë deri në pesëmbëdhjetë vjet, mësuesit nuk takojnë më prindër të së njëjtës moshë si dikur.
Ata s’kanë më të njëjtët prindër; duke ndryshuar seksualiteti, edhe gjenitaliteti i tyre do të ndryshojë thellësisht.
– Ndërsa paraardhësit e tyre e ndiqnin mësimin në klasa ose salla leksionesh me bashkënxënës të së njëjtës kulturë, ata studjojnë në gjirin e një grupi ku do të ndeshen, tash e tutje, shumë fe, gjuhë, prejardhje dhe zakone. Prej disa dhjetëvjeçarësh, për ta dhe për mësuesit e tyre, multikulturalizmi është bërë një rregull. Edhe për sa kohë ende do të mund të këndojnë për të neveritshmin “gjak të papastër” të disa të huajve?
Nuk jetojnë më në të njëtën botë planetare, nuk jetojnë më në të njëjtën botë shoqërore. Përreth tyre, vajzat dhe djemtë e emigrantëve, të ardhur nga vende më të varfëra, po përjetojnë përvoja jetësore të përkundërta.
Një bilanc i përkohshëm: çfarë letërsie, çfarë historie do të mund të kuptojnë ata, ashtu të lumtur, pa e njohur jetën e fshatit, kafshët shtëpiake, të korrat e verës, luftërat, të plagosurit, të vdekurit dhe të uriturit, varrezat, atdheun, flamurin e përgjakur, përmendoret e të rënëve, pa mundur ta përjetojnë në vuajtje nevojën e ngutshme jetike të një morali?
– II –
Folëm për trupin; le të flasim për problemet e njohjes.
– Stërgjyshërit e tyre të studjuar linin pas një horizont kohor prej disa mijëra vjetësh, të stolisur nga prehistoria, shkronjat kuneiforme, Bibla hebraike, Antikiteti greko-latin. Tashmë miliardavjeçar, horizonti i tyre kohor ngjitet deri tek muret e Planck-ut, kalon nga procesi i formimit të planetit, evolucioni i llojeve, një paleoantropologji milionavjeçare.
Ngaqë s’jetojnë më të njëjtën kohë, janë bërë pjesë e një historie tjetër.
– Janë formuar nga mediat e drejtuara prej të rriturve, të cilat me shumë kujdes u kanë shkatërruar aftësitë e vëmendjes. Kohëzgjatjen e pamjes ua kanë ngucur në shtatë sekonda dhe kohën për t’iu përgjigjur pyetjeve në pesëmbëdhjetë sekonda, si shifra zyrtare këto; fjala më e përsëritur është «vdekje», pamja që përcillet më shpesh është ajo e kufomave. Kur mbushin dymbëdhjetë vjet, të detyruar bash nga këta të rritur, i kanë parë tashmë mbi njëzet mijë vrasje.
– Janë formuar nga reklamat; si mund ta mësojnë që fjala relais në frëngjisht shkruhet me –ais, teksa në të gjitha stacionet e trenave afishohet me –ay? Si mund ta mësojnë sistemin metrik, kur shoqëria publike e trenave darovit çmime s’miles, në bazë të miljeve të përshkruara?
Ne të rriturit i kemi dhënë funksione pegagogjike botës së spektaklit, ku gjallon një konkurrencë shtypëse, lavdikote dhe e palavruar, që i bën hije shkollës dhe universitetit. Falë kohës që njerëzit kalojnë para radios ose ekranit, në sajë të fuqisë joshëse dhe rëndësisë së tyre, mediat prej kohësh po pushtojnë lëmejtë e edukimit.
Ndikimi i mësuesve është zvogëluar shumë në krahasim me mediat. Ata kritikohen, përçmohen, fyhen, ngaqë keqpaguhen.
– Ajo dhe ai jetojnë, pra, në një botë virtuale. Shkencat e njohjes dëshmojnë se përdorimi i Internetit, leximi ose shkrimi me gishta i mesazheve, kërkimet në Wikipedia ose në Facebook, nuk ngacmojnë të njëjtat neurone, as të njëjtat zona të kores së trurit, sikundër ndodh kur përdorim librin, lapsin ose fletoren. Ata mund të përpunojnë shumë informacion në të njëjtën kohë. Por, nuk janë në gjendje të njohin, të integrojnë dhe as të sintetizojnë, sikundër bënin prindërit e tyre.
Nuk kanë më të njëjtin tru.
– Falë celularit mund të flasin me kë të duan, falë GPS-it nuk ka vend ku s’mund të shkojnë, përmes Internetit mund të futen në çdo fushë të dijes; pra, ndërsa ne jetonim në një hapësirë metrike të përcaktuar nga largësitë, ata frekuentojnë hapësirën topologjike të fqinjësisë.
Nuk jetojnë më në të njëjtën hapësirë.
Jashtë vëmendjes sonë, përgjatë një harku kohor të shkurtër, nga Lufta e Dytë Botërore e këtej, u lind një qënie e re njerëzore.
Ai ose ajo s’kanë më të njëjtin trup, nuk kanë të njëjtat shpresa për jetën, nuk jetojnë më në të njëjtën hapësirë, nuk komunikojnë në të njëjtën mënyrë, shqisat e tyre nuk kapin më të njëjtën botë fizike, nuk jetojnë më në të njëjtën natyrë; të ardhur në jetë me anestezi dhe me lindje të programuara, nën përkujdesje kinse lehtësuese, ata nuk i friken më të njëjtës vdekje. Duke mos pasur të njëjtin tru si prindërit e tyre, ai ose ajo gëzojnë aftësi njohëse të ndryshme.
– Ai apo ajo shkruajnë ndryshe nga ne. Ngaqë i vërej, me admirim, të dërgojnë aq shpejt mesazhe duke përdorur pëlqyerët, sikundër unë me gishtat e mi të mpirë s’do të mund ta bëja dot kurrë, me dashurinë më të madhe që mund të falë një gjysh, i kam pagëzuar Gishtëza dhe Gishtëzi. Ja pra emri i tyre, shumë më i bukur se fjala e vjetër, pseudoshkencore – daktilo.
– Ata nuk flasin më të njëjtën gjuhë. Nga koha e Rishelieu-së, thuajse çdo dyzet vjet, Akademia franceze boton, si vepër referimi, fjalorin e gjuhës sonë. Për shekujt pararendës, ndryshimi midis dy botimeve të njëpasnjëshme ishte rreth katër-pesë mijë fjalë, shifra këto pak a shumë të pandryshueshme; tanimë, ndryshimi i pritshëm midis fjalorit të mëparshëm me atë që do të botohet do të jetë rreth tridhjetë mijë.
Mund ta marrim me mend se, me këtë ritëm gjuhësor, pas pak brezash pasardhësit tanë do të gjenden aq larg nesh në pikëpamje të gjuhës, sa kemi qenë ne me frëngjishten e vjetër të Chrétien de Troyes (poet francez i shek. XII – sh. i p.), ose të Joinville-t (jetëshkruesi i Shën Luigjit, mbretit të francezëve, shek.XIII-XIV – sh. i p.). Ky gradient është një tregues gati fotografik i ndryshimeve madhore që përshkrova më sipër.
Ky ndryshim i thellë që i prek të gjitha gjuhët shpjegon, pjesërisht, çarjen midis zanateve të viteve 50-të me ato të sotmet. Gishtëza dhe vëllai i saj nuk do rreken më të kërkojnë të njëjtat punë.
Gjuha ndryshoi, zanatet u zëvendësuan.
-III-
Individi
Për më tepër, po na formohen individë të rinj! Njeriu po lind vetëm këto ditë, ndonëse u shpik nga Shën Pali, në fillim të erës sonë. A i biem kalemit, deri në çfarë pike i jetonim ne përkatësitë, që nga të dikurshmet deri tek ato të sotmet? Francezë, katolikë apo hebrenj, gaskonë apo pikardë, të pasur ose të varfër, femra apo meshkuj… ne u përkisnim krahinave, feve, kulturave, bujqësore a fshatarake, grupeve të veçanta, bashkësive vendore, një seksi të caktuar, atdheut. Për shkak të udhëtimeve, përfytyrimeve, Internetit, luftërave të ndyra, gjithë këto bashkësi thuajse janë shpërbërë. Çfarë ka mbetur vazhdon të shpërbëhet me shpejtësi në ditët tona.
Njeriu nuk di më të jetojë në çift, prandaj ndahet; nuk di më të rrijë në mësim, ndaj lëviz dhe dërdëllit; nuk lutet më në kishë; verën që shkoi futbollistët tanë nuk ditën të bënin një skuadër; po politikanët tanë a dinë vallë ende si bëhet një parti? Kudo dëgjojmë të thuhet se ideologjitë kanë vdekur; në të vërtetë kanë firuar, pa nam e pa nishan, pasvanët e tyre.
Por ky njeri i porsalindur, të paktën, na sjell një lajm të mirë. Si për t’u ngushëlluar për të këqiat e egoizmit dhe të krimeve të luftës, të kryera nga libido-ja e përkatësisë dhe për shkak të saj, me pasojë qindra miliona të vdekur, i dua me shpirt këta njerëz të rinj.
Kjo do të thotë se s’na mbetet tjetër veçse të sajojmë lidhje të reja. Këtë e dëshmojnë pranimet në Facebook, gati po aq sa popullsia e botës.
Ashtu si një atom pa valenca, Gishtëza ka mbetur fillikat. Ne, të rriturit, nuk kemi krijuar dot lidhje të reja reale shoqërore. Ato të mëparshmet janë shkatërruar tashmë nën peshën e kritikave dhe të mosbesimit ndaj tyre.
Jashtëzakonisht të rralla në histori, këto shndërrime që unë i quaj homineshente, po krijojnë në mjedisin bashkëkohor dhe mes grupeve shoqërore një hendek aq të thellë, sa pakkush i ka kuptuar përmasat e vërteta të tij.
Po e përsëris, këto shndërrime unë i krahasoj me ato që ndodhën në erën e neolitit, në agimin e shkencës greke, në fillimet e Krishtërimit, në fund të Mesjetës dhe përgjatë Rilindjes.
Në anën e poshtme të kësaj çarjeje, shihni të rinjtë, të cilët ne mëtojmë t’i edukojmë sipas rregullave të një epoke të huaj për ta: ndërtesa, oborre shkollash, klasa, banga, tavolina, salla leksionesh, kampuse, biblioteka, laboratorë po ashtu, dituri, madje do të thoja… brenda caqesh, them unë, të një epokë tjetër dhe që zbatohen sot, kur njerëzit dhe bota nuk janë më si më parë.
-IV-
Tri pyetje, për shembull: Çfarë të përcjellim? Kujt t’ia përcjellim? Si ta përcjellim?
Çfarë të përcjellim? Dijen!
Njëherë e njëkohë, dija mbartej nga vetë njerëzit e ditur, aedët grekë apo rapsodët e Afrikës. Një bibliotekë e gjallë… ja cila ishte baza mësimore e pedagogut.
Pak e nga pak, dija u sendërtua, fillimisht në lëkurë ose pergamenë, si mbartës të shkrimit, mandej, duke filluar nga Rilindja, në librat prej letre, si mbartës të shtypshkrimit, tash së fundi në Internet, si mbartës mesazhesh dhe informacioni.
Evoluimi historik i çiftit mbartës-mesazh është një ndryshore e mirë në funksion të mësimdhënies. Befas, pedagogjia ndryshoi tri herë: me zbulimin e shkrimit grekët shpikën paideia-n; me shpikjen e shtypshkrimit, në pak kohë, manualet e pedagogjisë u shumëfishuan. Po sot?
E përsëris. Çfarë të përcjellim? Dijen? Po ja ku e kemi, kudo në Internet, të gatshme, të sendërtuar. Duhet t’ia përcjellim gjithsecilit? Por tashmë portat e dijes janë të hapura për gjithkënd? Po si ta përcjellim? Ja, e pat dhe kjo punë.
Falë komunikimit të njerëzve me celularë, vajtjes në çdo vend që duam përmes GPS-it, portat e dijes, tanimë, janë të hapura për këdo. Në njëfarë mënyre, dija përcillet tashmë në çdo kohë dhe kudo.
E sendërtuar, sigurisht e për më tepër, e shpërndarë. Jo e përqëndruar. Thashë se jetojmë në një hapësirë metrike, nisur nga qendrat, nga mjediset ku mblidhen njerëz. Shkolla, klasa, kampusi, salla e leksioneve, ja pra, përqëndrimi i njerëzve, i studentëve e i profesorëve, i libravet nëpër biblioteka (si shumë të mëdha – thonë ndonjëherë), i mjeteve nëpër laboratore… kjo dije, këto referenca, këta libra, këta fjalorë… ja ku i keni, të shpërndarë gjithandej dhe, sidomos, në shtëpinë tuaj. Më mirë të themi, në të gjitha vendet ku ju shkoni; prej andej mund të kontaktoni kolegët, nxënësit tuaj, atje ku ata ndodhen; dhe ata do mund t’ju përgjigjen me shumë lehtësi.
Hapësira e vjetër e ngulimeve – vetë ajo prej nga unë po flas dhe ju po më dëgjoni, – hej, çfarë bëjmë ne këtu? – po tretet, po shpërhapet; ne jetojmë, sapo ua thashë, në një hapësirë fqinjësie të afërt dhe, për më tepër, në një hapësirë të shpërhapëshme. Unë mund t’ju flisja nga shtëpia ose gjetiu dhe ju të më dëgjonit gjetiu ose duke qenë në shtëpinë tuaj.
Para së gjithash, mos thoni që nxënësve u mungojnë funksionet për ta përvetësuar dijen e përhapur kësisoj, sepse këto funksione ndryshojnë pikërisht në vartësi të vetë dijembartësit. Në sajë të shkrimit dhe të shtypshkrimit, për shembull, kujtesa ndryshoi deri në atë pikë sa Montenji (Michel de Montaigne, 1533-1592, shkrimtar, filozof dhe politikan francez i Rilindjes – sh. i p.) parapëlqen më mirë një kokë plot me tru se sa një kokë plot me dije. Koka që na duhet, pra, ka evoluar.
Pedagogjia (paideia) u shpik nga grekët me shpikjen dhe përhapjen e shkrimit, por pësoi shndërrime të thella gjatë Rilindjes, me daljen e shtypshkrimit; njëlloj po ndryshon tërësisht edhe sot, falë teknologjive të reja.
Dhe po e përsëris, këto nuk janë gjë tjetër veçse një ndryshore e çfarëdoshme mes dhjetëra apo nja njëzet të tjerave që përmenda dhe do mund të numëroja edhe të tjera.
E ndjejmë që është bërë nevojë e ngutshme një ndryshim vendimtar i mësimdhënies (ndryshim i pasqyruar në gjithë hapësirën e shoqërisë botërore dhe në tërësinë e institucioneve të saj të vjetëruara, ndryshim që prek nga afër jo vetëm arsimimin por, pa dyshim, edhe punën, politikën dhe tërësinë e institucioneve tona), por ne jemi ende shumë larg. Ndoshta sepse ata që janë kapur me thonj pas karrigeve, në periudhën ndërmjetëse midis gjendjeve të fundit, ende nuk kanë dalë në pension, teksa vazhdojnë t’iu përkushtohen reformave të bazuara në modele që kanë vdekur prej kohësh.
Meqënëse prej dyzet vjetësh vazhdoj të jap mësim gati në të gjitha viset e globit, ku ky hendek është po aq i thellë sa edhe në vendin tim, i kam ndjerë dhe i kam vuajtur ato reforma si farën e hedhur në ujë, si arna të qepura keq e mos më keq; dhe sot, në vend të kishin vënë vetulla, vazhdojmë të nxjerrim sytë.
Po, ne po jetojmë sot një periudhë të krahasueshme me agimin e paideia-s, kur grekët mësuan të shkruajnë dhe të provojnë; të krahasueshme me Rilindjen që përjetoi lindjen e shtypshkrimit dhe ardhjen e mbretërisë së librit; por, gjithsesi, krahasimi çalon, ngaqë bashkë me teknikat që përparojnë edhe trupi pëson shndërrime të thella, ndryshojnë lindja edhe vdekja, vuajtja dhe shërimi, vetë qënia në këtë botë, zanatet, hapësira dhe vendi ku jetojmë.
-V-
Përkushtim
Përballë këtyre ndryshimeve, pa dyshim na volit të shpikim risi të papërfytyrueshme, jashtë kornizave të kalbura që formatojnë ende sjelljet dhe projektet tona. Institucionet tona ndriçojnë sot me një shkëlqim që i ngjan atij të konstelacioneve, që astrofizika dikur na mësoi se kanë vdekur me kohë.
Përse këto risi u shfaqën kështu si papritur? Për këtë akuzoj filozofët si puna ime, njerëz që e kanë për zanat t’i paraprijnë dijes dhe praktikave të ardhshme dhe që më duket se, njësoj si unë, dështuan në përmbushjen e detyrës së tyre. Të zënë me politikën e ditës, ata nuk e vunë re trokitjen e bashkëkohësisë. Në të vërtetë, nëse do t’më duhej të skicoja portretin e të rriturve, sikurse jam edhe vetë, lëvdatat do t’i kisha shumë të kursyera.
Do të doja të isha tetëmbëdhjetë vjeç, në moshën e Gishtëzës dhe Gishtëzit, ngaqë gjithçka duhet të ribëhet, ç’po them…, ngaqë gjithçka duhet të bëhet nga e para.
Uroj që jeta të më falë edhe ca vite për të punuar ende, së bashku me këta të rinj, të cilëve u kam kushtuar jetën, ngaqë gjithmonë i kam dashur dhe respektuar shumë.
Përktheu: Henrik Ligori