Një zjarr i përmasave të mëdha është shfaqur në masivin pyjor me pishë të zezë në zonën e njohur si Qafa e Buallit në kufi administrativ midis Bashkisë Klos dhe asaj Bulqizë.
Zjarri është përhapur me shpejtësi për shkak të erës së fortë duke u shtrirë në një sipërfaqe prej disa hektarësh.
Për shkak të djegies së masivit me pishë të zezë, tymi ka mbuluar qytetin e Bulqizës ndërsa ka krijuar edhe vështirësi në qarkullimim e automjeteve pasi ndodhej ngjitur me rrugën nacionale Klos – Bulqizë, në fshatin Plan i Bardhë.
Pas njoftimit të marrë është nisur drejt vendit të ngjarjes shërbimi zjarrfikës i Klosit e në ndihmë të tij edhe një mjet zjarrfikës i Bashkisë Bulqizë. Terreni i vështirë e ka bërë të pamundur fikjen me automjet, ndërsa po punohet edhe me pompa shpine.
Policia e Klosit shkoi në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet për shkaqet e zjarrit në këtë masiv pyjor.
Në fakt kjo është e disata herë që i vihet flaka kësaj zone, ndërsa për këtë nuk ka patur asnjë përgjegjës të nxjerrë para drejtësisë.