Monumenti simbol i pavarësisë “New Born” me mesazh kundër “copëtimit” të Kosovës

Monumenti simbol i pavarësisë së Kosovës “New Born” është transformuar këtë vit me ngjyra dhe mesazh të ri “No New BR (Broken Republic)” apo “jo një republikë e copëtuar e re” duke aluduar në mos-formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Në 15-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, “No New BR” vjen me mesazhin kryesor ruajtjen e republikës, por përfshinë edhe mesazhe të tjera.

Autori i këtij monumenti që u inaugurua për herë të parë më 17 shkurt të vitit 2008, Fisnik Ismaili, thotë për AA se mesazhi parë është kundërshtimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe duke bërë që BR të nënkuptohet dhe si “No New Bosnian Republic”, për shkak të formimit të Republikës Sërpska në Bosnjë e Hercegovinë.

“Sivjet mesazhi thotë ‘No New Broken Republic’ që do të thotë ‘jo një republikë e copëtuar e re’. Kjo ndërlidhet me situatën këtu dhe presionin që po na bëhet që të na copëtohet republika prapë. Por, ndërlidhet edhe me Ukrainën, një shtet tjetër që po copëtohet në një luftë dhe gjithë kjo kontribuoi që ta sjellim këtë ide për këtë vit”, theksoi Ismaili.

Fjalët “Broken Republic” janë shkruar me të bardhë, duke bërë që në monument të përfshihen tre ngjyrat e flamurit shtetëror, e kaltra, e verdha dhe e bardha, por që, e kaltra dhe e verdha janë edhe ngjyrat e Ukrainës po ashtu.

Aktualisht Kosova gjendet përballë propozimit evropian, i njohur edhe si propozimi franko-gjerman si marrëveshje që çon në normalizimin e plotë të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, por që në të përfshihet edhe zbatimi i marrëveshjeve të dala nga procesi i dialogut deri më tani, e ku është edhe formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe si marrëveshje e nënshkruar në vitin 2013 në Bruksel.

– U zbulua me pjesëmarrje të mbi 150 mijë njerëzve

Nga viti kur u zbulua ky monument në ceremoninë e të cilit morën pjesë mbi 150 mijë njerëz për të nënshkruar, përfshirë edhe ish-presidentin Fatmir Sejdiu e ish-kryeministrin Hashim Thaçi, për 5 vite me radhë ai qëndroi me pamjen e njëjtë.

Nga viti 2013, për çdo vit, pamja e re e këtij monumenti ka provuar të përçojë mesazhe të ndryshme me imazhe të ndryshme, si: flamujt e shteteve që e kanë njohur pavarësinë, izolimi i Kosovës me regjim të vizave, kujtimi për të rënët në luftën për liri, emigrimin e qytetarëve, mbrojtjen e tokës, mbrojtjen e të drejtave të grave, e të tjera.

NEWBORN ka fituar gjithsej shtatë çmime ndërkombëtare, ndër to, çmimin më të lartë në botë në fushë e dizajnit, atë të “Luanit të Artë” në Kanë.

Latest articles

Related articles