Rreth 300 autoshkollat që operojnë në Shqipëri, do të dyfishojnë tarifën për marrjen e një leje drejtimi automjeti brenda muajit Mars. Në një intervistë për News 24 sekretari i përgjithshëm i shoqatës së autoshkollave Tonin Gjinaj, duke marrë shembull lejet e drejtimit të kategorisë B, pra lejet për automjetet që përdoren nga qytetarët, thotë se ato do kushtojnë 85 mijë lekë nga 45 mijë leke që kushtonin deri më sot.
“Leje drejtimi e kategorisë B për 15 ditë 36 orë mësim që i bie 300 mijë lekë të vjetra me gjithë pagesën e TVSH ndërsa praktika ajo është 40 minuta dhe nga 25 seanca që behej tani janë 34 seanca praktikë dhe kushton 16 mijë lekë të vjetra një seance dhe i bie tek 55 mijë lekë, leja e drejtimit e kategorisë B do të shkojë 85 mijë lekë”, deklaroi Tonin Gjinaj.
Dyfishimi i çmimit të patentave vjen pas një marrëveshjeje të nënshkruar nga Shoqata e Autoshkollave, Drejtoria e Tatimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor. Gjinaj thotë se ndryshimi bëhet për të eliminuar sekserët dhe informalitetin në këtë sektor.
“Ky shërbim do kthehet në shërbim te qytetarit dhe nuk do futen në xhepat e sekserëve deri sot apo ato qe bënin evazion fiskal”, ka deklaruar Gjinaj.
Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të Shoqatës së Autoshkollave, rritja e tarifës për patentat do të bëhet edhe për shkak edhe të rritjes së numrit të seancave të praktikës dhe rritjes së çmimit të karburantit. Me këtë marrëveshje, praktikantët do të duhet që pagesën ta bëjnë të gjithën në bankë me dy këste, çka sipas grupit të interesit është formalizim i tregut.
“Kemi rritur orët e praktikës për të rritur standardet e sigurisë rrugore për të aftësuar më shumë sepse ne jetojmë në Shqiperi. Çdo gjë është rritur karburanti është rritur dhe në Itali dhe në vendin tonë dhe kështu që çmimi i patentës nuk ka ndryshuar që nga viti 2000 kjo është hera parë që bëhet një vlerësim teknik i lejes se drejtimit”, tha Gjinaj.
Sipas një përllogaritje të thjeshtë kursantët do të bëjnë 6 orë më shumë praktikë dhe kjo do tu kushtojë plot 40 mijë lekë të reja më shumë ose 66 mijë lekë ora.