Deputetja demokrate Jorida Tabaku shprehet kundër vendimit të qeverisë shqiptare për krijimin e një kompanie shtetërore për prodhimin dhe shpërndarjen e pasaportave dhe dokumenteve biometrike. VKM-ja është miratuar dje dhe gradualisht gjatë 2023 Aleat do e kalojë shërbimin te shteti.
Referuar vendimit të Këshillit të Ministrave, shoqëria aksionare financohet nga të ardhurat e veta nga ofrimi i shërbimeve dhe burime të tjera të ligjshme. Këto të ardhurat do përdoren për ushtrimin e veprimtarisë së saj.
“Pasaportat e shqiptarëve në duart e specialistëve patronazhistë! Ndërpreja e kontratës për prodhimin e pasaportave biometrike nga një kompani e njohur dhe krijimi i një kompanie shtetërore për prodhimin e tyre është vendim i papërgjegjshëm & abuziv.
Në kushtet kur të dhënat personale të ruajtura dhe mirëmbajtura nga qeveria shqiptare janë përdorur për qëllime elektorale; në kushtet kur sistemet e sigurisë janë treguar të dobëta dhe të pasigurta dhe pavarësisht investimeve të larta siguria e sistemeve është cënuar rëndë;
Në kushtet kur eksponentë të policisë janë akuzuar për lidhje kriminale; vendimi i qeverisë që ky shërbim të jepet nga shteti është i rrezikshëm për sigurinë kombëtare!
Ruajtja e këtyre të dhënave sensitivie, aftësia që në rrjet të mos penetrojnë persona me rekorde kriminale për të cënuar një nga sisteme që ka rezultuar deri më sot më i sigurti si dhe shqetësimi për përdorime elektorale ashtu si ka ndodhur më parë duhet të jenë tema debati”, shkruan deputetja Jorida Tabaku.