Rritet numri i pjesëmarrësve në protestat që po zhvillohen në sheshet franceze kundër reformës së pensioneve, ndërsa projektligji vijon rrugën në Parlament.
Sipas ministrisë së brendshme, 963.000 persona morën pjesë në demonstratat sot në Paris dhe shumë qytete të tjera në Francë, ndërsa sindikata CGT njoftoi “mbi 2.5 milionë”.
Të dyja shifrat, si gjithmonë shumë të largëta nga njëra-tjetra, janë në rritje krahasuar me ditën e protestës së të martës së kaluar.
Në Paris, ku policia arrestoi një duzinë njerëzish gjatë disa momenteve të tensionuara, ministri i brendshëm foli për 93,000 demonstrues kundrejt 500,000 sipas CGT. Grupe të izoluara të protestuesve dëmtuan një degë banke në lagjen Bastille, një agjenci sigurimesh dhe një restorant të ushqimit të shpejtë. Një makinë mbeti e djegur.
Ditët e reja të mobilizimit janë planifikuar tashmë për 16 shkurt, me rastin e javës së dytë të shqyrtimit të projektligjit në Kuvend dhe 7 marsit, kur teksti do të mbërrijë në Senat. Që nga ajo datë, sindikatat kanë menduar të nisin një grevë të pacaktuar për të “bllokuar vendin”. Seksioni CGT i punonjësve të hekurudhave ka nisur tashmë një apel për një grevë të plotë nga 7 marsi në të gjithë trenat.
Në të majtën ekstreme, Jean-Luc Mélenchon tha se “Macron është në vendin e gabuar nëse ai llogarit të përdorë ” ata që protestojnë kundër reformës së pensioneve. Nga ana tjetër, Marine Le Pen paralajmëroi se “qeveria nuk mund të vazhdojë të kthejë kokën duke refuzuar të dëgjojë francezët”.