Pas ushtrimit të së drejtës së tij të votës, të dielën në Milano për zgjedhjet rajonale të Lombardisë, ish-kryeministri italian Silvio Berlusconi iu referua edhe një herë në mënyrë kritike presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyi. Me deklaratat e tij ai u diferencua nga qëndrimi i qeverisë Meloni, e cila është fort në anën e Ukrainës.
“Nëse do të isha kryeministër, nuk do të shkoja kurrë të flisja me Zelensky, sepse ne shohim se vendi i tij po shkatërrohet dhe se ushtarët dhe qytetarët e vendit të tij po masakrohen. Nëse ai ndalonte së sulmuari dy republikat autonome të Donbasit, kjo nuk do të ndodhte.
“Rrjedhimisht, unë gjykoj shumë negativisht sjelljen e këtij zotërie”, tha Berlusconi.
Kujtojmë se partia e tij, ‘Forza Italia’, bashkëqeveris në Itali së bashku me ‘Legan’ dhe ‘Vëllezërit e Italisë’, të Giorgia Melonit.
“Biden duhet të premtojë miliarda, jo armë. Në këtë mënyrë ky zotëri do të urdhërojë armëpushim”, shtoi ish-kryeministri.
Qendra e Majtë italiane komentoi këto deklarata duke theksuar se “Berluskoni është në anën e Putinit”. Deputetët e Partisë Demokratike të qendrës së majtë kërkuan të dinin pikëpamjen e kryeministres Georgia Meloni për këtë çështje.
Tashmë përpara zgjedhjeve të 25 shtatorit, kreu i Forza Italia kishte deklaruar se me sulmin e tij Putin donte vetëm të zëvendësonte qeverinë në Kiev “me njerëzit e duhur”.
Giorgia Meloni ishte përgjigjur se “kushdo që vë në dyshim atlantizmin e Italisë qëndron jashtë aleancës qeveritare”. Dhe sot, burime të qeverisë italiane zbuluan se mbështetja e Italisë për Ukrainën është e qartë dhe e vendosur, siç parashikon programi i qeverisë dhe konfirmojnë qëndrimet dhe vendimet e shumicës qeveritare në parlamentin e Romës.