Doktor, nuk duam kopjen por origjinalin

Tre javë më parë, gazetari Syri TV në selinë e Partisë Demokratike pyeti Sali Berishën se çfarë nënkuptonte ai me revolucion. Lideri i lëvizjes Foltorja iu përgjigj duke i kërkuar që të pyeste kalimtarët jashtë PD-së se çfarë nënkuptojnë ato me revolucion.
Data 11 shkurt është mbase një nga ditët më të pezmatuara të Sali Berishës si lider i vetshpallur i shesheve dhe mitingjeve. Dështimi i turpshëm dhe shenjat e qarta të një bjerrje të madhe të numrave dhe shifrave por edhe entuziazmi fals që ai kishte veshur në fytyrë përpara protestës qenë për një sy të jashtëm receta e një dështimi të paralajmëruar.
Për një njeri si Berisha, protestat me 200 persona nuk janë asnjë habi. Nga viti i largët 1999 edhe deri në fillim të vitit 2003 protestat e tij kanë qenë të tilla. Ai është mësuar me numrin e ulët të protestuesve dhe duket se përherë i ka lezetuar që të luajë me protestat për të katalizuar demokratët dhe për t’i dhënë një tjetër impuls protestave. Po përse dështimi i sotshëm është më i rëndë edhe pse numrat janë më të shumtë se sa ato të fund viteve 1990?
Arsyeja e parë lidhet me rivalitetin që Sali Berisha ka me ish benjaminin e tij, Basha. Në një dalje mediatike në Opinon në vitin 2021 Doktor Berisha deklaroi se ai është “njeriu i shesheve”. Shumica e analistëve politikë në media kur mbështesnin lëvizjen e Sali Berishës kundër PD-së pro amerikane, kur justifikonin sulmet e ndyra që i bëheshin deputetëve të PD-së kishin parasysh refrenin “Berisha është i dhunshëm dhe i vetmi që e heq me dhunë Ramën”. Në mendjen e tyre, Berisha është njeriu që nuk i dëgjon amerikanët madje ata jetonin me ethet dhe entuziasmin e shtatorit 1998.
Dështimi i sotëm ishte një shenjë tjetër lajmëruese për këta qytetarë dhe demokratë që nuk e kuptojnë se Berisha nuk është më njeriu i shesheve. Ai nuk mundet më të thërrasë dhe bindë mijëra qytetarë (qofshin dhe demokratë) për të dalë në protestë kundër qeverisë. Trishtimin më të madh e ndjen ndërsa sheh se si ata demokratë të bazës që ai i ka sulmuar me çfarë ka mundur, tani e përqeshin dhe e tallin duke i vënë në dukje se në fakt Lulzim Basha (pengu në mitologjinë e Berishës) ka qenë ku e ku më i dhunshëm. Trishtueshmërisht, as elegjia e surrogatëve të tij nuk e ka qetësuar atë.
Arsyeja e dytë lidhet me tragjedinë e mos të qënurit i pëlqyeshëm. Për vite me radhë në mendjen e demokratëve dështimet e Lulzim Bashës atashoheshin me mos qënien e tij karizmatik. Në të vërtetë, Basha ka pasur shumë arsye përse ka dështuar, por mungesa e karizmës nuk është se ka qenë tek ato kyçe. Duke ndërtuar një nisje të gabuar, pritshmëria e tyre ka qenë se Berisha do të mund të prodhojë një frymë dhe karizmë që do të karikonte demokratët. As kjo nuk ndodhi!
Doktor Berisha dështoi të karikonte sepse metodat dhe mënyra e të bërit politikë prej tij është shumë demode dhe jo efektive në një terren si Shqipëria 2023. Fatkeqësisht, Partia Demokratike e cila nuk mendon si Berisha ka rrëshkitur jo pak në sherret dhe rrëmujën që Berisha kërkon në çdo seancë parlamentare. Kjo nuk i bën mirë opozitarizmit dhe as logjikës politike, fakteqësisht i ul pikët PD-së ndërsa kundërshtarin e lë në një pozicion komod.
Mungesa e ndjelljes dhe dashurisë ka prodhuar një elektorat shpërfillës ndaj Berishës dhe gjithnjë e më pak të ndërlidhur me të. Raportet e Facebook mbase mund ta nxjerrin Berishën në treshen më të mirë, mirëpo qytetarët i ndjekin postimet e tij për gjithëfarë arsyesh qoftë edhe për të parë një burrë në moshë të thyer që nis edhe sillet si zbuluesi i konspiracioneve. Kjo nuk përkthehet në mbështetje elektorale dhe shifrat e sondazheve që dalin në media e dëshmon rënien e pëlqyeshmërisë për Partinë Demokratike.
Arsyeja e tretë, Edi Rama nuk i konsideron kundërshtarë. Ndryshe nga se mund të parashikohej, Rama ishte sot shumë i qetë. Kjo sepse ai e kupton që protesta e Berishës ka dështuar që në nisje si me mesazhin e dhënë edhe me vetë individin. Së pari, mesazhi i Berishës ishte se e shpallën nongrata Rama duke blerë agjentin McGonigal (gënjeshtër). Së dyti, Meta dhe Berisha në protestë janë kthim tek e shkuara e harruar që askush nuk do të shkojë.
Këtyre dy arsyeve i duhet të shtohet një e tretë. Berisha po lufton kundër SHBA dhe SPAK. Shiheni pak sjelljen e Doktor Berishës dhe pankartat e demokratëve që ai i gënjen me turp. Ata janë të drejtuara ndaj Yuri Kim dhe ndaj SPAK. Përse ky mllef? Gërdeci! Përtej përbetimeve që atë do ta nxjerrin vetëm zvarrë dhe se nuk dorëzohet Berisha e di mjaft mirë që rruga drejt fundit është e shtruar dhe ai po hedh këmbët drejt saj.
Për mbi një vit, redaksia Faktor.al, i ka kërkuar doktor Berishës që të zgjidhte një rrugë tjetër për t’i dhënë fund një karriere politike. Por, ai zgjodhi t’i jepte fund karrierës së tij duke zbritur në humnerën e dështimeve politike që do eklipsojnë totalisht arritjet e tij. Natyrshëm, sot ai do të thërrasë fitore, do flasë për arritje të mëdha të protestës. E vërtetë është e kundërta.
Doktor, të jetë për xhiro në bulevard, demokratët nuk duan kopjen e Lulit por origjinalin!

Latest articles

Related articles