Policia e Korçës ka njoftuar sot arrestimin e tre shtetasve të akuzuar për vjedhjen e një kishe në fshatin Lajthizë, Pustec.
Sipas policisë, janë arrestuar në flagrancë shtetasit R. L., 22 vjeç, K. A., 25 vjeç dhe I. P., 69 vjeç, banues në fshatin Pojan, Maliq, për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim.
“Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ditën e djeshme, kanë vjedhur një shumë parash, në një objekt kulti (kishë), në fshatin Lajthizë, Pustec”, shton policia.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme.