Rikthehet normaliteti në pikën e kalimit kufitar të Qafë Thanës, si dhe në dy pikat e tjera kufitare që lidhin Shqipërinë me Maqedoninë e Veriut, atë të Tushemishtit dhe Gorricës.
Burime pranë pikës së kalimit kufitar thanë se pala maqedonase ka filluar të punojë normalisht me sistemin kompjuterik pasditen e sotme duke bërë të mundur kalimin normal të shtetasve shqiptarë dhe të huaj në të dy anët e kufirit.
Shtetasit shqiptarë kanë qënë të detyruar të presin për orë të tëra, më së tepërmi në tokën neutrale, pasi pala maqedonase nga ora 06:30 minuta e ditës së sotme ka pasur probleme me sistemin kompjuterik, çka dhe ka sjellë rradhë të gjata në pikën e kalimit kufitar të Qafë Thanës. Pas takimeve që policia jonë kufitare ka pasur me homologët maqedonas, rregjistrimi i shtetasve në të dy anët e kufirit në pikën kufitare të vendit fqinj, është bërë në mënyrë manuale, gjë e cila nuk ka arritur te shmang për shumë orë radhët e gjata.
Burimet pranë pikës së kalimit kufitar të Qafë Thanës, thanë se momentalisht nuk ka radhë në këtë pikë kufitare, ashtu siç kalohet pa probleme edhe në pikat kufitare të Tushemishtit dhe Gorricës.