VIDEO | Basha për dialogun Kosovë-Serbi: Vendimmarrja i takon qytetarëve të Kosovës

Nga Monada Mehmetaj

Dialogu Kosovë-Serbi ka marrë vëmendjen e diskutimeve edhe në Asamblenë e Këshillit të Europës.

Ish-kryetari i PD Lulzim Basha ka dhënë një intervistë ekskluzive për gazetaren Monada Mehmetaj në ambientet e Këshillit të Europës.

Kjo është intervista e parë e ish-kryedemokratit që prej 21 marsit 2022.
Gjatë intervistës Basha tha se diskutimet kanë qenë të frytshme dhe lajmmotivi i fjalës së tij ka qenë anëtarësimi i Kosovës si një anëtare me të drejta të plota në Këshillin e Europës.

Ndërsa për një zgjidhje lidhur me konfliktin Kosovë-Serbi, Basha u shpreh se ai nuk ngurron të japë mendimet e tij tek udhëheqësit e Kosovës, por vendimi duhet të merret vetëm nga qytetarët e Kosovës dhe të zgjedhurit e tyre.

 

Intervista e plotë

Gazetarja:  Zoti Basha, jemi në Këshillin e Europës, pikërisht pas fjalimit tuaj në Asamble. Cili është mendimi juaj rreth diskutimeve të anëtarëve të tjerë të Asamblesë për çështjen e konfliktit midis Prishtinës dhe Beogradit?

Basha: Në tërësi diskutimet kanë qenë jashtëzakonisht të frytshme, sepse kanë treguar domosdoshmërinë për të ecur përpara me vendimmarrjen e Këshillit të Europës, përkatësisht të Këshillit të Ministrave dhe Asamblesë Parlamentare për të anëtarësuar Kosovën si një anëtare me të drejta të plota në Këshillin e Europës dhe ky ka qenë pikërisht lajmmotivi jo vetëm i fjalës sime por i shumicës dërrmuese të atyre që morën pjesë në debatin për tensionin mes Beogradit dhe Prishtinës. Unë mendoj se jo vetëm u kalua një çështje episodike si kjo, por u shtrua fare qartë domosdoshmëria për të ecur përpara me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës dhe siç e vutë re jo vetëm unë, por dhe disa folës të tjerë shtruan edhe nevojën për njohjen e Kosovës nga 5 vende të tjera anëtare të Bashkimit Europian. E gjitha kjo ndodh në një kontekst politik ku kemi një intensifikim të përpjekjeve të SHBA dhe BE për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë me qëllim atë që quhet normalizim i marrëdhënieve mbi bazën e një plani europian, apo franko-gjerman, ku një nga produktet më kryesore të këtij plani dhe më të rëndësishmet është anëtarësimi i plotë i Kosovës në institucionet ndërkombëtare çfarë është edhe faza përmbyllëse e njohjes së Kosovës.

Gazetarja: Meqënëse dialogu nuk po gjen zgjidhje, keni ju një mendim se si mund të zgjidhet ky dialog?

Basha: Sigurisht që kam mendimet e mia dhe nuk nguroj t’i ndaj ato lirisht me përfaqësuesit dhe udhëheqësit e Kosovës, por mendoj se barra e përgjegjësisë dhe e vendimmarrjes i takon qytetarëve të Kosovës dhe përfaqësuesve të tyre politikë, pra drejtuesve të institucioneve të Republikës së Kosovës.

Gazetarja: Unë ju falënderoj dhe shpresoj që ky dialog të ketë zgjidhje dhe të jetë sa më i frutshëm.

Latest articles

Related articles