Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish në rrjetet sociale mbi akuzat e opozitës për skandalin “McGonigal”, teksa kjo e fundit i kërkon përballje në Kuvend.
Opozitën e sotme, kreu i qeverisë e konsideron si më të mjerën, më të degraduarën dhe më të çekuilibruarën në histori, ndërsa akuzat ndaj tij i konsideron si gënjeshtra dhe budalliqe të lëshuara në ajër që “nuk kanë qenë ndonjëherë kaq të qametshme”.
Reagimi
Kurrë më e mjerë, më e degraduar, më e shfytyruar dhe çekuilibruar s’është shfaqur ndonjëherë politika opozitare me altoparlantët e saj; kurrë boshllëku i ideve, kapsllëku i komunikimit, sasia e gënjeshtrave dhe budallallëqeve të lëshuara në ajër nuk kanë qenë kaq të qametshme!
Asnjëherë asnjë opozitë e asnjë kohe deri sot nuk e ka ndotur kaq keq mjedisin publik, ashtu e shtrirë në tërë kanalet e komunikimit me gjuhën jashtë dhe me trupin që përpëlitet nga fabrikimi non stop i pisllëqeve më ekstreme! Kjo është pasoja e puthjes fatale me një të vdekur.