Rama nuk mund të fshihet përjetësisht pas Sali Berishës – REDAKSIONALE

Për një javë, Edi Rama u fsheh në publik duke thërritur në ndihmë “Amendamentin Sali Berisha”, por ditën e djeshme ai zgjodhi që të dalë në tre media për t’i bishtnuar kërkesës së llogarisë të Partisë Demokratike. Daljet në media ishin të studiuara dhe qenë pikërisht në të gjithë drejtuesit e emisioneve që mbajnë krahun e Sali Berishës dhe lëvizjes së tij Foltore.
Duke përfituar nga mosleximi i aktpadisë por edhe nga fakti që Berishës nuk i intereson drejtësia amerikane, Edi Rama përfitoi t’i jepte ndonjë kockë propagandë njerëzve të tij që janë tulatur nga zbulimet e SHBA për liderin e tyre. Nuhatja e tij e ka të qartë që beteja me Partinë Demokratike dhe grupin e saj pro perëndimor duhet shmangur totalisht për t’i dhënë vëmendje vetëm deputetëve të Foltores dhe lëvizjes anti-amerikane. Me to, Rama e ka të garantuar fitoren në debatin publik për shkak se udhëheqësi i tyre është i përcaktuar nongrata.
Prandaj, Rama zgjodhi mediat dhe jo kuvendit ku interpelanca do ishte shumë e domosdoshme dhe do na pasqyronte shumë fakte apo do kishim marrë shumë përgjigje nga pyetjet që kanë shqiptarët mbi këtë aferë të ndyrë korruptive.
Ditën e sotme prestigjiozja NY Times, do të shkruante për lidhjet e Ramës me McGonigal, për incentivat që i pari i ka dhënë të dytit për të nisur një hetim ndaj Lulzim Bashës dhe FBI-së. Të gjitha këto janë nën dritën e fakteve që janë publike në aktpadi por që Rama zgjodhi të mos pyetej duke zgjedhur ai mediumin dhe formatin e pyetjeve.
Fati i madh në krahun e PD sot gjendet pikërisht se Edi Rama çështjen e tij e ka në SHBA dhe sa më shumë të rrëmohet andej aq më shumë rrënohet ky këndej. Një fat të tillë PD e ka dhe me Sali Berishën që në këto kushte kur SPAK i ka thërritur të birin nuk mund të ankohet për drejtësinë e Soros dhe të ambasadores Kim pasi mbështetja e SPAK është pikërisht nga FBI dhe Departamenti i Drejtësisë Amerikane.
Rama, siç e përmendi dhe deputetja Tabaku, nuk mund të fshihet përjetësisht. Duhet të japë llogari përpara kuvendit të Shqipërisë në rastin më të mirë. Akrobacitë e tij me padijeninë për McGonigal pasi e ka takuar sipas aktpadisë katër herë janë alibi që nuk kanë asnjë mundësi ta shpëtojnë.

Latest articles

Related articles