Miku i mikut tim është miku im! – ANALIZA e aferës Rama-McGonigal-Berisha

Akuzat e ngritura ndaj mikut të kryeministrit Rama, Charles McGonigal, janë lemeritëse për cdo demokraci në çdo cep të botës, lëre më pastaj të Europës. Mirëpo Partia Socialiste dhe Edi Rama kanë vendosur të fshihen për të mos dalë në një debat të qartë dhe shterues në lidhje me këtë çështje.

Se çfarë fshihet pas kësaj heshtje mund të nënkuptohet por elementi i goditjes dhe asimilimit politik që po pëson Edi Rama është një goditje e rëndë politike. Ngjarja është e përmasave të mëdha ndërsa Edi Rama po mendohet se kë duhet të hedhë poshtë rrotave të autobuzit. Njëkohësisht nënkupton që Rama ka frikë të flasë pasi gjithçka mund të përdoret kundër tij.

Në ndihmë, i ka ardhur njeriu i fundit që ka menduar. Sali Berisha nuk mund të jetë vetëm se varka e shpëtimit të Edi Ramës, së bashku me grupin që e ndjek pas në misionin e tij anti-amerikan. Në foltoren e kuvendit, i vetëpërshkruari kryetar i grupit parlamentar deklaroi se për Ramën ka folur SHBA. Kjo është butaforike po ta mendosh që SHBA ka folur edhe për Sali Berishën, por për këtë të fundit Prof. Luçiano Boçi dhe ndjekësit e Berishës mendojnë se nuk është SHBA por Soros.

Ligjërime të tilla shoqëruar me bllokimin e Foltores nga Berisha çojnë ujë në mullirin e Ramës që po përpiqet t’i ikë debatit dhe përgjegjësisë publike me shpresën që çështja do harrohet. Nga ana tjetër Berisha është i bindur që çështja McGonigal mund të përdoret për interesin e tij personal; së pari ajo çështje ka diskretituar Ramën njësoj si Sali Berishën ndërkombëtarisht; madje për herë të parë në historinë e Shqipërisë moderne Meta-Berisha-Rama janë në të njëjtin nivel ndërkombëtar.

Për këtë arsye Doktor Berisha po përpiqet që të manipulojë demokratët dhe shqiptarët me një kauzë të drejtë për të thërritur një protestë që në fakt në dukje është kundër Ramës por që hallin e vërtetë e ka për djalin e tij.

Një javë më parë, SPAK ka thërritur në zyrat e saj për të dëshmuar Shkëlzen Berishën. Ai kurrë nuk u thërrit për çështjen e Gërdecit dhe asnjëherë nuk dha llogari për atë që kishte dijeni dhe emrin e tij që dilte jo rrallë në telefonatat me personat përgjegjës për Gërdecin. Kjo nuk është se e ka lënë të pagoditur Berishën, që e kupton se fuqia e tij kundër SHBA është e vogël dhe aq më pak përballë drejtësisë që nuk e kontrollon më.

Duke bllokuar foltoren e kuvendit ai po përpiqet që të galvanizojë situatën politike në vend për t’i dhënë vetes më shumë energji në protestën kundër SPAK.

Heshtja e Lulzim Bashës është përgjigja më e mirë që Berisha mos t’i vjedhë viktimizimin për hallin e vet personal. Pas datës 11 shkurt, askush nuk do të bllokojë më Foltoren e Kuvendit për të kërkuar rrëzimin e Ramës me foltore kuvendi. Përkundrazi, Rama do të vijë në kuvend dhe do tallet me Berishën që nuk thërret më dot as të tijtë në protestë.

Pikërisht Ramës i duhet gjithashtu protesta e Sali Berishës, pasi Rama është kthyer në një aleat të tij në luftën kundër SHBA dhe perëndimit. Treshja e famshme, që Basha e etiketon si Bermuda, po bëhet përditë edhe më e qartë ndërsa fakte nga SHBA kanë ardhur për të tre. Në vitin 2016, Ilir Metën e pyetën nga studio e “Zërit të Amerikës” për luksin e tij; në 2021 Sali Berisha u shpall nongrata dhe në janar 2023 Edi Rama mori mesazhin e radhës.

Shqipëria është në agun e një dite të re, ku fundi i epokës së trekëndëshit të Bermudës do ta çlirojë nga errësira që e kishte mbuluar.

Latest articles

Related articles