Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu tha se po shqyrtojnë ndihmën ushtarake Ukrainës.
Në një intervistë për televizionin amerikan CNN, në pyetjen për të siguruar për Ukrainën sistemin e mbrojtjes ajrore “Kubeja e Hekurt” të prodhuar nga Izraeli, Netanyahu tha se “Patjetër po e shqyrtoj këtë”.
Ai tha se SHBA-ja ka transferuar në Ukrainë një pjesë nga stoku i municioneve të saj që mban në Izrael. “SHBA nga këtu ka transferuar disa municione të saj në Ukrainë. Këtu nuk do të jap detaje. Izraeli po kalon në veprim kundër prodhimit të armëve të Iranit të cilët përdoren në Ukrainë”, tha Netanyahu.
Netanyahu as nuk konfirmoi por as nuk mohoi pretendimet se Izraeli qëndron pas sulmit që u krye në fundjavë me mjete ajrore pa pilot ndaj objektit të Ministrisë së Mbrojtjes për prodhimin e municioneve në qytetin Isfahan të Iranit. “Unë nuk flas rreth një operacioni të caktuar. Sa herë që ndodh një shpërthim në Lindjen e Mesme, akuzohet ose tregohet Izraeli. Ndonjëherë e bëjmë ne dhe ndonjëherë nuk jemi ne”, tha ai.
Propozimi “jozyrtar” për ndërmjetësim në fillim të luftës
Kryeministri izraelit vuri në dukje dërgimin e armëve nga Irani për Rusinë për luftën në Ukrainë.
“Përballë barbarizmit që Irani ka shfaqur kundër popullit të tij, bota po i afrohet më shumë të kuptuarit se çfarë është Irani, i cili siguron mjete ajrore pa pilot që vrasin civilë të pafajshëm në Ukrainë, në mesin e Evropës”, tha Netanyahu.
Ai potencoi se si kryeministër “do të bëjë gjithçka që është e mundshme” për të penguar që Irani të posedojë armë bërthamore.
Netanyahu tha se në kohën e fillimit të luftës iu propozua ndërmjetësimi por që nuk e ka pranuar këtë rol sepse në atë periudhë ishte në opozitë dhe kryeministri i asaj kohe Naftali Bennett ka treguar përpjekje për këtë por që nuk ia ka arritur.
Pas pyetjes se nga kush erdhi ky propozimi për ndërmjetësim, Netanyahu tha se propozimi iu përcoll atij nga “kanale jo zyrtare” dhe se është i gatshëm të ndërmarrë këtë detyrë nëse dëshirojnë të gjitha palët dhe kryesisht SHBA-ja.