Grupet e hakerëve me bazë ruse dhe iraniane “vazhdojnë me sukses” të shënjestrojnë individë dhe grupe specifike në Britani të Madhe, paralajmëroi sot qendra britanike e sigurisë kibernetike.
Qendra Kombëtare e Sigurisë Kibernetike (NCSC) në deklaratën e saj, e cila ofron udhëzime dhe mbështetje për sigurinë kibernetike, përshkroi në mënyrë të detajuar aktivitetet e vazhdueshme të grupeve specifike të hakerëve për mbledhjen e informacioneve.
“SEABORGIUM me bazë në Rusi dhe TA453 me bazë në Iran vazhdojnë të përdorin me sukses sulmet ‘spear-phishing’ (tentim mashtrues, zakonisht bëhet përmes email-it për të vjedhur informatat personale) kundër organizatave dhe individëve të shënjestruar në Britani të Madhe dhe zona të tjera me interes, për aktivitete të mbledhjes së informacioneve”, thuhet në deklaratë.
Më pas qendra sqaron se si vitin e kaluar të dy grupet kishin shënjestruar sektorë të ndryshëm përfshirë akademinë, mbrojtjen, organizatat qeveritare dhe joqeveritare dhe think-tank si dhe politikanë, gazetarë dhe aktivistë.
“Aktiviteti është tipik i fushatave ‘spear-phishing’, ku një aktor synon një individ ose grup të caktuar, duke përdorur informacione të cilat dihen se janë me interes për objektivat për t’i angazhuar ata”, shton deklarata.
Pavarësisht ngjashmërive në profilet e shënjestrimit, sulmet e dy grupeve janë akte të veçanta, shton qendra.
“Ata kanë krijuar gjithashtu profile të rreme në rrjete sociale ose rrjete që shtiren si ekspertë të respektuar dhe kanë përdorur ftesa të supozuara për konferenca ose ngjarje si dhe qasje të rreme nga gazetarët”, thuhet më tej.
Organi britanik i sigurisë kibernetike shtoi se SEABORGIUM dhe TA453 vazhdojnë të përdorin me sukses teknikat “spear-phishing” dhe kanë zhvilluar teknikën për të ruajtur suksesin e tyre.