Tabaku: Qeveria përmes korrupsionit në koncesione ka dëmtuar buxhetin dhe ka dhënë koncesione kompanive të lidhura me Putin

Deputetja e PD u shpreh në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese se qeveria shqiptare si pasojë e korrupsionit ka abuzuar me buxhetin e shtetit. Ajo solli në vëmendje situatën me rrugën e Arbrit ku qeveria, sipas saj, ka prekur mbi 20 herë kontratën duke shtuar kontratën si katet pa leje.

“A e dinë shqiptarët sa ka kushtuar rruga e Arbrit? A është transparente kjo kontratë? Kontrata e kësaj rruge është bërë me “shto ujë e shto miell”. Ne duhet të dimë sa ka kushtuar kjo rrugë dhe ndaj duhet votuar dhe miratuar projektligji që kam propozuar. Këto kontrata po kthehen në barrë të rëndë për buxhetin e shtetit që do na bëjë edhe më dëm në të ardhmen” u shpreh deputetja e PD, Tabaku.

Më tej ajo theksoi se qeveria Rama i ka dhënë kompanive të lidhura me Gazprom dhe Putin, të gjitha vendburimet e naftës ndërsa hiqet si partnere strategjike me SHBA.

“Pse nuk ka garë tek nafta? Qeveria shqiptare ia jep kompanive të lidhura me qeverinë ruse të Putin. Këtu tregohet logjika gjeostrategjike dhe orientimi garës. – Qeveria shqiptare në dukje hiqet si pro-amerikane ndërkohë që po të shihni tenderat për 4 fushat e naftës i janë dhënë indirekt kompanive të lidhura me Gazprom dhe jo rrallë në shkelje të rregullave të garës. Për tenderin e fituar nga Transoil group ishin 9 kompani të tjera ku njëra ishte nga SHBA.” U shpreh Tabaku.

Projektligji për Koncesionet dhe PPP është një nga propozimet e Paketës Anti-Korrupsion që deputetja e Partisë Demokratike Tabaku ka depozituar në dhjetorin 2022 në Kuvendin e Shqipërisë. Propozimet e Tabakut kanë lidhje me projektligje për Koncesionet dhe PPP, Projektligji për Prokurimet Publike, investimet Strategjike, Lejet e ndërtimit dhe Komisionet Hetimore.

Latest articles

Related articles