Një nga mikesha e mia më të ngushta është alergjike ndaj botox-it. Dhe për të ky ishte një zbulim i tmerrshëm. Gjithçka nisi që kur ishte ende në zyrën e mjekes, me një ndjesi djegieje në vendin e injektimit. (“Është vetëm imagjinata juaj!”- i tha dermatologia).
Por ajo ndjesi u shndërrua menjëherë në një skuqje të çuditshme në formën e një njolle. (Dermatologia i tha më vonë “Nuk kam parë kurrë më parë diçka të ngjashme”).
Më pas i nisën spazmat, dridhjet në fytyrë, të cilat edhe pse të rralla, ishin aq të forta sa mund të shiheshin nga bashkëshorti dhe fëmijët e saj. Pra muskujt e saj të fytyrës që përpëliteshin nën lëkurën e saj, në një skenë të ngjashme me një film horror.
Kjo përvojë ishte alarmante, por fatmirësisht e shkurtër. Botox, i cili zbut rrudhat në lëkurë duke paralizuar muskujt nën të, pastrohet nga trupi brenda 3-6 muajsh, moment në të cilin ata që nuk janë alergjikë ndaj botox-it, rikthehen në klinikë për një raund tjetër.
Në fakt, është një pritshmëri e gjithë industrisë së botox-it, që gratë të vazhdojnë të rikthehen për më shumë trajtime. Madje disa pronarë klinikash të tilla, kanë nisur të ofrojnë zbritje për klientët që rikthehen.
“Jam shumë e zemëruar për atë që më ndodhi, sepse më pëlqeu vërtet mënyra se si i zhduku rrudhat e mia”- më tha shoqja ime javën që fytyra e saj më në fund pushoi së dridhuri. Pavarësisht asaj që përjetoi, më duhet të them se ka diçka të lakmueshme në pozicionin e shoqes sime: jo muajt plot ankth të dridhjeve të pakontrollueshme, por liria paradoksale që ajo gëzon tani nga të mos pasurit një zgjedhje.
Imagjinoni pak qetësinë e saj: nuk ka asnjëherë nevojë të vendosë nëse do të bëjë apo jo botox, pasi sapo e bën njëherë, nuk ndalesh dot më. Që gratë do të përballen me këtë vendim, cilësohet si një përfundim i paramenduar, dhe kjo ilustrohet nga bombardimi i pafundmë me historitë mediatike të lidhura me botox-in, reklamat dhe shkrimet nëpër revista, në të cilat kirurgët plastikë debatojnë se cilët personazheve të famshëm u kanë ribërë fytyrat.
Arsyet për ta bërë një ndërhyrje të tillë, janë në të njëjtën kohë të panumërta, dhe megjithatë në themel janë që të gjitha të njëjta. Ne duam të dukemi më të rinj se vitet që kemi mbi shpinë. Botox-i fshin efektet jo vetëm të kohës, por edhe të përvojës njerëzore: zhgënjimin, pikëllimin, tërbimin, gëzimin, çdo shqetësim emocional që shkakton shprehje të fytyrës që gradualisht krijojnë rrudha.
Nëse injektoni shumë shpesh një toksinë paralitike, mund të dukeni ndoshta si një njeri që nuk ka jetuar fare. Në fakt, rritja e industrisë së botox-it e ka ndryshuar natyrën e lojës nga restaurimi në konservim. Kanë ikur ditët kur pritej derisa gjërat të bëheshin aq të tmerrshme sa të meritoni t’i “kaloje nën thikë”’, duke u zgjuar e mavijosur dhe e sfilitur në sallën e operacionit, por me premtimin se do të dukesh 10 vjet më e re pasi të hiqen fashat.
Sot mjafton që të mos lejojmë që në fillim të prekemi nga efektet e moshës. Dermatologia ime më siguroi se koha më e mirë për të marrë botox-in ishte përpara se të dukesha sikur më duhej një ndërhyrje e tillë. “Nëse do të ndërhysh që herët, nuk do t’i kesh këto rrudha”- më tha ajo, gjë që më dha ndjenjën shqetësuese se duke marrë botox nuk do ta mbroja dhe aq shumë lëkurën time sesa do të ndryshoja fatin tim.
Psikologët thonë se buzëqeshja mund të jetë një nxitës i menjëhershëm i humorit, sepse ky akt e mashtron trurin të mendojë se jeni të lumtur edhe kur në fakt nuk jeni. Po çfarë ndodh me trurin e një personi që ka vite që nuk është në gjendje të zemërohet? A është ai aq i lëmuar sa balli?
Apo më pak? Është joshëse ta vendosësh këtë standard të ri bukurie, që qëndron në majën e gjilpërës, në kontekstin e pyetjeve më të gjera rreth feminizmit dhe fuqizimit të gruas. Sigurisht në parim është më mirë të jesh e bukur: njerëzit simpatikë paguhen më mirë, promovohen më shumë, priten më ngrohtësisht nga shoqëria.
Por çfarë mund të themi për sistemin patriarkal që e vendos bukurinë mbi gjithçka tjetër? A është gruaja që përmirëson pamjen e saj me injeksione, fajtore për ruajtjen e një paradigme që në përgjithësi i lë gratë në një pozicion edhe më të keq?
Nga njëra anë, është e padrejtë që kjo barrë të vendoset mbi ballin e çdo gruaje, sado pa rrudha qoftë ajo. Sepse ka gra që nuk e zgjedhin kurrë atë paradigmë. Një tjetër mikeshë e imja, romancierja Leig Shtein, u shpreh kohët e fundit në Twitter e lehtësuar që nuk është ndjerë kurrë e detyruar të kryejë ndërhyrje estetike tek vetja.
“Përfitimi i të mos qenit asnjëherë e bukur, është se unë nuk ndiej presion për të ruajtur bukurinë e fytyrës time”- shkroi ajo. Komentues të ndryshëm nuk ranë dakord me vlerësimin e Shtein mbi pamjen e saj. Megjithatë qetësia e saj mendore duket e lakmueshme.
Unë nuk kam qenë kurrë lloji i bukuroshes që i detyron meshkujt të ndalin makinat në rrugë, apo të kem marrë oferta për modele. Megjithatë e njoh fytyrën time si një pasuri, e cila ka qenë periodikisht e vlefshme për mua, por që tani po rrëshqet në mënyrë të pashmangshme drejt plakjes.
Për këtë arsye, unë kam bërë botox në fytyrë, gjithsej 4 herë, duke filluar nga mosha 35 vjeçare, kur nisa të bëja injeksione 1 herë në vit, përveç një rasti kur kishin kaluar më shumë se 18 muaj. Rastësia e angazhimit tim, nuk është për shkak të ndonjë dileme të madhe morale që kam ndaj kirurgjisë plastike.
Unë jam thjesht dembele si natyrë. Dhe për shkak se mora këshillën e dermatologes që më rekomandoi botox-in si një mekanizëm parandalues të rrudhave, injeksionet nuk kanë ndonjë ndikim të matshëm mbi pamjen time. Unë dukem njëlloj. Ajo që ndryshon është se ndihem – në mënyrë të çuditshme – sikur kam arritur diçka.
Ndoshta kjo është e vërtetë. Të gjitha ndërhyrjet kozmetike – botox dhe serume dhe injeksione që mbushin buzët, depilimi dhe lazeri dhe liposuksioni – klasifikohen në njëfarë mënyre nën kategorinë e këndshme të “kujdesit për veten”, dhe jo atë relativisht të pakëndshme të “kotësisë së tmerrshme”.
Por pavarësisht se cilësohet si diçka pothuajse altruiste, kujdesi për veten duket shpeshherë më shumë si një çështje e kujdesit ndaj mënyrës se si perceptohet vetja juaj nga të tjerët. Ndoshta nuk është rastësi që pandemia solli një rritje të pacientëve që kërkonin injeksione me botox, pasi ishin torturuar për muaj të tërë nga pamja e fytyrave të tyre të dëshpëruara gjatë ndjekjes së mbledhjeve në platformën Zoom.
Sa rëndësi ka për ju që të mos harroni se si e keni kaluar kulmin e e rinisë? Sa jeni të gatshëm të investoni, në kohë dhe para, për t’i nënshtruar fytyrës tuaj mirëmbajtjes rutinë, si një makinë? Aspekti kryesor i botox-it, është se ai është një ilaç portativ. Nëse e bëni një herë, ndoshta do ta bëni përsëri.
Por ndoshta do të bëni gjëra të tjera, derisa të keni një fytyrë që është ndoshta më rinore nga ajo që do t’ju kishte dhënë natyra, por që gjithashtu nuk është më tërësisht e juaja. I shoh herë pas here gratë që vendosën shumë kohë më parë për ‘opsionin e fundit’. Faqet e tyre janë kaq të lëmuara dhe të fryra, saqë duken sikur po më shohin nga pas një maske.
Ka diçka magjepsëse tek ato, dhe jo vetëm në lidhje me mungesën e dukshme të shqetësimit mbi mënyrën se si i shohin të tjerët, por edhe ndaj gjykimit dhe në talljen e tyre soditëse. Ato nuk duken se kanë më asgjë të përbashkët me vajzat e reja.
Ato nuk duken si nëna, tezja apo gjyshja e tyre që janë plakur natyrshëm. Në fakt ato nuk duken si tërësisht njerëzore. Por ngjajnë me njëra-tjetrën. Unë nuk kam ndërmend që t’u bashkohem, por pyes veten nëse dikush e bën ndonjëherë këtë gjë.