Arrestohet një 25-vjeçar afrikano-verior. Vazhdojnë hetimet për terrorizëm. Kardinali Omella: “Lutem për viktimat e kësaj mizorie dhe për familjet e tyre”
R.SH. / Vatikan
Mbrëmjen e djeshme në Algeciras, në Spanjën jugore, dy Kisha në qytet u sulmuan nga një burrë i armatosur me hanxhar, i cili në sulmet e ndryshme vrau një burrë – sakristanin e njërës prej dy Kishave – dhe plagosi katër persona të tjerë, duke përfshirë një prift famullitar.
Policia spanjolle ka arrestuar agresorin: një burrë rreth 25 vjeç me origjinë nga Afrika e Veriut. Të njëjtën gjë policia e kishte vërejtur pak ditë më parë e tani po heton për terrorizëm.
“Para së gjithash dëshirojmë t’ua përcjellim afërsinë, përzemërsinë dhe ngushëllimin e fesë familjeve të viktimave, dioqezës së Cadiz-it. Gjithashtu shprehim dënimin tonë të prerë ndaj të gjitha formave të dhunës, që nuk mund të ndodhin e kenë vend në shoqërinë në të cilën jetojmë. Si besimtarë, i lutemi Zotit të mëshirës dhe paqes që t’i mbushë zemrat e viktimave me shpresë dhe t’i shërojë të plagosurit, të shoqërojë Kishën dhe shoqërinë në kërkimin e paqes dhe t’i konvertojë zemrat e njerëzve të dhunshëm”, thuhet në deklaratën e Konferencës Episkopale Spanjolle.
“Tronditje e rëndë nga sulmi i armatosur që ndodhi në dy famullitë kishtare të Algeciras, që shkaktoi vdekjen e sakristanit të njërës prej tyre dhe plagosi rëndë famullitarin e tjetrës famulli. Lutem për viktimat e kësaj mizorie dhe për familjet e tyre”, janë fjalët e kardinalit Juan Josè Omella, Arqipeshkvit Metropolitan të Barcelonës dhe Presidentit të Konferencës së ipeshkvijve spanjoll, shprehur përmes Twitter.