Kush po e “vret” Kosovën?

Nga Sebastian Zonja

Më 31 janar, ambasada amerikane në Kosovë do të organizojë një takim ku do të diskutohet për Asociacionin. Kryeministri Albin Kurti nuk merr pjesë. Asosacioni, nëse ndërmerret i nxituar dhe nën presion, në dukje zhbllokues i situatës së Kosovës sot, e rëndon edhe më shumë situatën në vitet e ardhshme.

Si?

Njëjtë si veprimi i D. Abazoviçit në Mal të Zi. Në dukje, marrëveshja me Kishën Serbe uli tensionet, por në realitet nxorri një problem që do dojë dekada të marrë zgjidhje.
A do të jetë kërkesë e Beogradit ndaj Kosovës, po e njëjta që ju bë Abazoviçit, për kishat dhe manastiret në Kosovë?
Pra, Abazoviçi, duke menduar se po zgjidhte një problem, hapi një më të madh.

Në Shqipëri, Edi Rama, duke dashur të rregullojë vetullat, na qërroi si komb. Nuk e di nëse do të ketë libër historie që do ta trajtojë për mirë si personazh politik, sepse rikthimi i butë i hegjemonisë serbe në Ballkan, duke përdorur Tiranën zyrtare, është operacioni më perfid i dekadave të fundit, ku janë përdorur gjithë instrumentet e mundshëm në shërbim të ballkanistëve dhe jugosllavistëve Tiranë – Shkup – Prishtinë. Kjo është nga njollat më të errëta të kombit shqiptar.
“Ballkani i hapur” u përdor si instrument nga shovinizmi serb në dëm të Kosovës. Tirana e fshehu si hapje negociatash, Serbia si kurim imazhi, Prishtina u izolua. Kush fitoi?

Pikërisht kur duhej të vihej me shpatulla pas murit shovinizmi serb, Rama hap temën e UÇK-së në Prishtinë dhe Tiranë.
Pikërisht kur duhej të denoncohej lidhja me Rusinë, Rama del dhe artikulon se po iku Vuçiçi, kush vjen? A nuk e tha përpara pak ditësh të njëjtën gjë presidenti Vuçiç: Unë jap dorëheqjen! Duke nënkuptuar se po ika unë, vjen opozita moskovite në pushtet.
Pse tandemi Rama – Vuçiç thonë të njëjtën gjë?

Ndërkohë, një veprim që lë shumë pikëpyetje pas është edhe barazlargësia që kërkon të ruajë politika në Preshevë nga Tirana dhe Prishtina? Kujt i leverdis kjo linjë kur në tryezat diplomatike thuhet se Asosacioni duhet të jetë reciprok?

Latest articles

Related articles