Presidenti i Institutit Liberal “Pashko”, Preç Zogaj në një intervistë me gazetaren Mirela Milori në televizionin Klan News ka folur në lidhje me takimet e të pandehurit Charls McGonigal, me kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe ndërmjetësuesit shqiptar të këtyre takimeve, Agron Neza, një ish-oficer i shërbimeve sekrete shqiptare me shtetësi amerikane dhe Dorian Duçka, ish-zv/ministër i Energjetikës dhe këshilltar informal i Ramës.
Zogaj tha se janë kryer katër takime në harkun e pesë-gjashtë muajve, nga shtatori i vitit 2017, deri në mars të vitit 2018. Sipas tij, McGonigal nuk i ka raportuar këto takime pranë FBI-së, konform rregullave dhe ligjeve amerikane, duke theksuar se është shumë e çuditshme se si një fuksionar i FBI-së fsheh takimet me kryeministrin e një vendi mik dhe aleat.
“Kam përshtypjen se as kryeministri ynë nuk i ka dokumentuar për institucionin e Kryeministrisë se Shqipërisë këto takime ku kanë marrë pjesë persona privatë, si Neza dhe Duçka. Fshehtësi e plotë si në një konspiracion. Dhe në fakt, siç del nga akuza, ka një konspiracion: shtyrja e agjentit të FBI-së nga shqiptarët për të ndërmarrë një hetim ndaj lobistit amerikan Nik Muzin, që siç dihet, ka lobur për Partinë Demokratike të Shqipërisë në vitin 2017 kundrejt pagesave që ka marrë prej saj. Konspiracioni pra është hetimi i lobimit të partisë kundështare me atë të Edi Ramës, në funksion të dëmtimit të kryetarit të PD-së, Lulzim Basha. Agjenti i korruptuar Gonigal ka kuptuar se mund të fitojë para, duke u angazhuar në plotësimin e kërkeses se miqve të tij shqiptarë. Dhe i ka hyrë punës”, u shpreh Zogaj.
Presidenti i Institutit Liberal “Pashko”, Preç Zogaj ka bindjen se datat e takimit të tij me zotin Rama dhe të veprimeve të tij për të nxitur hetimin e Nik Muzin prodhojnë njëra-tjetrën, janë në frekuencë. Ai, thotë për Klan News se pas takimit me Ramën me 20 nëntor të vitit 2017, McGonigal informon Prokurorin e Departamentit të Drejtësisë për një hetim të mundshëm kiminal ndaj Nik Muzin.
“E njëjta gjë pas takimit në Nju Jork në 17 dhejtor të vitit 2017. Menjëherë pas festave të fundvitit, me 4 janar 2018 McGonigal ia dërgon çeshtjen e Muzin një agjenti tjetër të zyrës së FBI-së në Nju Jork. Me 22 janar Mc Gonigal merr përsëri informacione nga Neza për lobimin e Muzin dhe ia dërgon një vartësi të tij për të vepruar. Gjersa me 26 shkurt 2018 zyra e FBI e Nju Jorkut hapi zyrtarisht hetimet ndaj lobistit Nik Muzin me kërkesë të McGonigal”, citohet nga Zogaj.
Sipas tij, miku dhe bashkëpunëtori i tij Neza ishte burimi konfidencial në mbështetje të hetimit nga FBI, kurse Dorian Duçka ndihmoi në organizimin e takimeve mes FBI-së dhe dëshmitarëve në Europë, të cilëve u pagoi shpenzimet e udhëtimit. Ai thekson se të gjitha këto detaje, janë të shkruara në përshkrimin e akuzës zyrtare që është ngritur kundër McGonigal. Zogaj, mendon se FBI e ka pasur nën përgjim punonjësin e vet, duke i dokumentuar shumën e çdo kësti, vendin dhe datën kur i ka marrë ato para.
“Nga dolën këto para?”, pyet ai, duke nënvizuar më tej se kjo është një pyetje që mund të na vijë e sqaruar nga SHBA-të, ose sipas tij duhet ta sqarojë SPAK-u ynë. – “Ky hetim është më i thellë sesa ka dalë në dritë deri tani” shtoi Zogaj.
Presidenti i Institutit Liberal “Pashko”, Preç Zogaj mendon se nga kjo histori dalin shumë gjëra dhe gjithçka lidhet me mjedisin politik shqiptar, pasi sipas tij Edi Rama iu qep Bashës me bukë në trastë për t’i varur në qafë gurin e lobingut përmes Nik Muzin, sepse McGonigal u pagua nga Neza dhe Duçka për diçka të tillë.
“(Nuk dua të them se lobimi i Nik Muzin doli i qëruar. Këtë e vendos drejtësia amerikane). Por gjithë shqiptarët kanë rastin të marrin vesh një gjë: Basha jo vetëm nuk ka qenë i kapuri i Ramës, siç është trumbetuar e trumbetohet nga një frotë manipulatorësh, por në të kundërtën: Rama është investuar me të gjitha forcat ta shkatërrojë e djegë politikisht si kundërshtarin dhe rivalin kryesor. Kjo tani është e qartë si drita e diellit. Së dyti, kjo është një ngjarje tjetër që na tregon se Rama nuk është zgjidhja, por problemi amerikan për Shqipërinë. Por, zgjidhja e këtij problemi është vështirësuar për shkak të përçarjes së opozitës. Besoj se kjo nuk do të zgjasë shumë. Së treti, kjo histori na tregon se mund të korruptosh një funksionar të FBI-së, por jo FBI-në, mund të korruptosh një diplomat, por jo Departamentin e Shtetit. SHBA është shteti i fuqishëm që njohim, sepse i ka vetë kudo instrumentet dhe antikorpet e vetmbrojtjes nga e keqja”, deklaroi Zogaj.
I pyetur në fund të intervistës mbi këtë çështje, Presidenti i Institutit Liberal “Pashko”, z.Zogaj tha se Rama duhet të hetohet, kurse Berisha duhet të turpërohet dhe, mbi të gjitha, të shikojë kryqëzatën e tij kundër Bashës, gjoja si vegël e Ramës.