Zëvendës shefi i kabinetit të presidentit të Ukrainës, Kyrylo Tymoshenko, në fillim të kësaj jave i kërkoi Presidentit Volodymyr Zelensky që ta lironte atë nga detyrat e tij, raporton Reuters.
Në një postim në profilin e tij në Telegram, ai ka falënderuar presidentin ukrainas për besimin dhe për mundësinë, siç thotë ai, për të bërë vepra të mira çdo ditë dhe çdo minutë.
“Falënderoj çdo kryetar të administratave ushtarake rajonale. Ju jeni luftëtarë të vërtetë të dritës! Faleminderit kryetarëve të bashkive që janë konstruktivë në mosmarrëveshje. Faleminderit të gjithë ukrainasve për besimin në kauzën tonë. Faleminderit forcave të armatosura – për shpëtimin dhe mbrojtjen e vendit tonë. Faleminderit gruas dhe djalit tim për mirëkuptimin dhe mbështetjen e tyre”, shtoi Tymoshenko në një postim në Telegram.
Në postimin në Telegram, bashkëpunëtori i presidentit ukrainas nuk tregon arsyen e dorëheqjes, por mediat ukrainase raportojnë se Tymoshenko mund të jetë pjesë e ndryshimeve të personelit të paralajmëruara nga Zelensky.
Zelensky ka njoftuar pushime nga puna nga niveli më i lartë e deri te më i ulti në qeveri, rajone dhe forcat e sigurisë pas akuzave për korrupsion, gati një vit pas pushtimit rus.
“Tashmë ka vendime për shkarkime – disa do të ndodhin sot, disa nesër – në lidhje me zyrtarë në nivele të ndryshme në ministri dhe struktura të tjera qeveritare, si dhe në nivel rajonal dhe në organet e zbatimit të ligjit,” tha Zelensky në një video-mesazh.
Kyrylo Tymoshenko, 33 vjeç, ka qenë zëvendës-shef i zyrës presidenciale të Zelenskyt që nga viti 2019, duke mbikëqyrur rajonet dhe politikat rajonale. Ai gjithashtu ka punuar me presidentin ukrainas gjatë fushatës së tij zgjedhore.
Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në shkurt 2022, sipas mediave ukrainase, Timoshenko është përfshirë në disa skandale që lidhen me përdorimin e tij personal të makinave të shtrenjta. Nga ana tjetër, Timoshenko hodhi poshtë akuza të tilla.