“Nuk mund ta pengojmë hyrjen e Kosovës në NATO dhe në Këshillin e Evropës. ZSO (Asociacioni i komunave serbe) duhet të formohet në bazë të 22 parimeve”, tha ai, duke shtuar se negociatat me përfaqësuesit e Perëndimit ishin jashtëzakonisht të vështira.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se plani i Bashkimit Evropian (BE) për Kosovën, i paraqitur nga përfaqësuesit perëndimor, është bërë një kornizë e re negociuese për Serbinë në procesin e integrimit evropian dhe se refuzimi i këtij plani do të “shkaktojë dëme të mëdha për Serbinë”, raporton Anadolu Agency (AA).
Sot më herët, është mbajtur seanca e qeverisë së Serbisë, ku ka marrë pjesë edhe presidenti Aleksandar Vuçiq, i cili siç njoftojnë nga qeveria, i ka njoftuar anëtarët e qeverisë për situatën, sfidat dhe vështirësitë me të cilat ballafaqohet Serbia kur bëhet fjalë për Kosovën.
Sonte, presidenti Vuçiq në një konferencë për media, iu drejtua publikut duke folur për takimin e të premtes në Beograd me përfaqësues të Bashkimit Evropian (BE), SHBA-së, Francës, Gjermanisë dhe Italisë. Ai ka theksuar se në takim i është thënë qartë se Serbia nuk do të mund të përparojë nëse nuk bashkëpunon për çështjen e Kosovës.
Vuçiq tha se në takim me ndërkombëtarët i është thënë se në rast të refuzimit të planit të BE-së për Kosovën, pasojat për Serbinë do të jenë ndërprerja e procesit të integrimit evropian, ndalimi dhe tërheqja e investimeve perëndimore, si dhe masa gjithëpërfshirëse politike dhe ekonomike që do të shkaktojnë dëme të mëdha për Serbinë.
Më tej, duke folur për takimin e të premtes, presidenti serb tha se i është “thënë qartë” se Serbia nuk do të mund të përparojë nëse nuk bashkëpunon për çështjen e Kosovës. Ai theksoi se kjo i është përsëritur tre herë gjatë bisedës dhe shtoi se çdo herë ka reaguar shumë ashpër.
“Edhe pse mund të reagoja emocionalisht, të them largoni këto ose hidhini, puna ime është të kujdesem për shtetin”, u shpreh Vuçiq.
Vuçiq po ashtu theksoi se ndryshimi i rrethanave gjeopolitike kontribuoi në qasjen më të ashpër të tanishme të vendeve perëndimore ndaj Serbisë dhe çështjes së Kosovës.
“Të gjitha vendet anëtare të BE-së pranuan atë plan, përfshirë pesë vende që nuk e njohin Kosovë”, tha ai, duke shtuar se “plani në fakt, jo zyrtarisht, u bë një kornizë e re negociuese për Serbinë”.
Duke përsëritur se plani është i kushtëzuar me vazhdimin e rrugës së BE-së dhe investimeve, Vuçiq tha se Serbia duhet të kërkojë një kompromis.
“Nuk mund ta pengojmë hyrjen e Kosovës në NATO dhe në Këshillin e Evropës. ZSO (Asociacioni i komunave serbe) duhet të formohet në bazë të 22 parimeve”, tha Vuçiq, duke theksuar se negociatat me përfaqësuesit e Perëndimit ishin jashtëzakonisht të vështira.
Vuçiq gjithashtu tha se konflikti në Ukrainë është një problem i madh për Serbinë. Ai shtoi se agjenda e Perëndimit përfaqëson disfatën e Rusisë dhe gjithçka që pengon në rrugën e kësaj agjende do të pastrohet.
Ndër të tjera, ai theksoi se tërheqja e investimeve është sanksioni më i rëndë duke kujtuar si Perëndimi tërhoqi të gjitha kompanitë dhe investimet nga Rusia për një periudhë të shkurtë kohore.
“Do të flasim me shqiptarët dhe me BE-në. Vendimin përfundimtar do ta marrë e gjithë shoqëria. Na pret një periudhë e vështirë”, tha Vuçiq.
Vuçiq po ashtu paralajmëroi se do të ishte çështje javësh për t’u tërhequr regjimi pa viza i Serbisë me BE-në nëse ai të premten në Beograd do të thoshte se nuk dëshiron të diskutojë planin franko-gjerman për Kosovën të cilin të gjitha anëtarët e BE-së e pranuan.
“Serbia duhet të marrë pjesë në dialog, duhet të vazhdojë rrugën evropiane, jo sepse e admiroj hipokrizinë e tyre, por sepse ekonomikisht duhet të mbijetojmë dhe të përparojmë. Nuk duhet të izolohemi”, tha Vuçiq.
Presidenti serb po ashtu bëri të ditur se në ditët e ardhshme do t’i njoftojë të gjitha grupet parlamentare për propozimin evropian për zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe se do të kërkojë pjesëmarrje më të madhe të parlamentit dhe qeverisë.
Vuçiq gjithashtu tha se ai është ushtar i vendit të tij dhe se jeton për të, madje ai theksoi se është i “gatshëm të japë dorëheqje nëse në atë mënyrë duhet të blejë kohë për Serbinë”.