Korruptimi i zyrtarit të FBI kundër opozitës, Gaz Bardhi çon në SPAK Edi Ramën!

Një nga zyrtarët më të lartë të FBI-së u vendos në dy akuza të hënën në darkë, mes të tjerash, për udhëtime me shpenzime të paguara në Tiranë ku u takua me kryeministrin Edi Rama dhe për marrjen e një shume prej 225 mijë dollarësh nga një shqiptaro-amerikan. Pas këtij lajmi ka reaguar dhe deputeti demokrat Gazment Bardhi, i cili ka drejtuar një kërkesë në SPAK kundër kryeministrit Rama.

Reagimi i plotë i Gazment Bardhit:

Miku personal i Edi Ramës, Charles McGonigal, njeriu që drejtoi për dekada kundërzbulimin e FBI në Nju Jork, u arrestua në SHBA pasi akuzohet për bashkëpunim me rusët, deklarim të rremë dhe pastrim të parave të pista. Drejtësia amerikane konfirmon se Edi Rama, nëpërmjet një ish punonjësi të Sigurimit të Shtetit, i paska paguar mikut të tij McGonigal plot 225 mijë dollarë për të sajuar përrallën me lobim me para ruse të PD në SHBA.

Korruptimi i një zyrtari amerikan të FBI për të sajuar rrethana të rreme për kundërshtarët politik është jo vetëm krim, por akti më i rëndë që ka ndodhur në këto 30 vite në marrëdhëniet Shqipëri-SHBA. Asnjë Kryeministër në vendet demokratike nuk përdor para të pista për të korruptuar zyrtarë amerikan të lidhur me Rusinë për të goditur kundërshtarët politik.

Sot i jam drejtuar zyrtarisht SPAK që të nis hetimet për një organizatë kriminale, të drejtuar nga Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, për kryerjen e disa veprave penale, përfshirë :

1. Korrupsion aktiv i nëpunësve të huaj publikë;

2. Deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë;

3. Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale;

4. Grup i strukturuar kriminal dhe kryerja e veprës penale nga grupi i struktutuar kriminal.

SPAK nuk ka shumë punë për zbardhjen e kësaj afere kriminale. Mjafton të kërkojë zyrtarisht të plotë dosjen dhe provat pranë Gjykatës së Distriktit të Kolumbias në SHBA. Drejtësia që hesht përballë fakteve është drejtësi e vdekur. Shqiptarët kërkojnë dhe meritojnë një drejtësi që vepron ndaj kujtdo dhe që i jep fund kulturës së pandëshkueshmërisë.

Latest articles

Related articles