A kishte dijeni Arlind Gjokutaj, sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Financave dhe ky institucion se kreditorit Ilir Thana i ishte përfunduar kompensimi i pagesës së pretenduar prej tij.
FactCheck ka mundur të sigurojë tre shkresa që faktojnë së paku në tre raste që ministria kishte dijeni dhe po ashtu Arlind Gjokutaj në dy raste kishte dijeni. Shkresa e parë daton në muajt shkurt-mars 2020 kur sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Financave ishte Arjan Kraja.
Kraja merr një kërkesë nga zyra përmbarimore e drejtuar nga përmbaruesja Suela Ndreca, ajo i kërkon Krajës dhe Ministrisë së Financave të shlyej vlerën e pretenduar nga Ilir Thana.
Në mars të vitit 2020, Kraja dhe institucioni i Ministrisë i përgjigjen përmbarueses së kjo praktikë është e përfunduar.
Ja cila është përgjigja e ministrisë në 2020, dy vite përpara se kjo çështje të zbulohej nga drejtësia si një aferë.
“Ministria e Financave dhe Ekonomisë e ka Ekzekutuar urdhër shpenzimin nr.90 dt.24.2.2015, me përshkrimin ekzekutim vendimi gjyqësor nr.9150 dt.1.12.1996 i rrethit gjyqësor tiranë lënë në fuqi nga gjykata e apelit më datë 14.7.2000 në favor të shtetasit Ilir Thana”.
Ndërsa kjo është shkresa e dytë e cila mban firmën e Arlind Gjokutaj dhe tregon që ai kishte dijeni pasi vetë i përgjigjet këtë herë një tjetër studio përmbarimore se z.Ilir Thana është kompensuar. Kjo shkresë me porosi të Gjokutaj është firmosur nga drejtori i përgjithshëm asokohe znj.Mimoza Dhëmbi. Kjo është përmbajtja e shkresës që vetë Gjokutaj porosite të shkruhej e dërgohej si përgjigje ndaj Thanës “Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka ekzekutuar vendimin nr.9150 datë 11.11.1996 të gjykatës së rrethit gjyqësorë Tiranë duke shlyer detyrimin e plotë ndaj kreditorit z.Ilir Thana”.
Pa kaluar shumë javë në muajin shtator Ilir Thana trojet sërish në dyert e Ministrisë paçka se në gusht 2022 kishte marrë një përgjigje negative.
Rezulton se sekretari i përgjithshëm ka kërkuar informacion nga vartësit e tij të cilët në një MEMO të datës 14 shtator 2022 të siguruar nga FactCheck e njoftojnë për ezaurim të kësaj praktike dhe për refuzimin e pranimit të rivlersimit.
Në dokument thuhet “ Në mënyrë të përsëritur shprehemi se pagesa e detyrimit është kryer e plotë dhe ministria e financave dhe ekonomisë nuk ka asnjë detyrim nda kreditorit Ilir Thana, prandaj kjo drejtori gjykon se s’mund të bëjë asnjë ndryshim të vlerës së detyrimit për t’i kthyer përgjigje kërkuesit Thana dhe zyrës përmbarimore”.
E teksa shkresa e parë e dytë dhe e tretë konfirmojnë shlyerjen e pagesës për Thanën duke thelluar Skandalin në këtë aferë rezulton se në muajin tetor Ministria kalon tek llogaria e Shpresa Priftit 48 milion lekë për një praktikë të mbyllur në vitin 2015.
Shpresa Prifti rezulton se është motra e të arrestuarit Ilir Thana dhe përdorej pikërisht llogaria e saj pasi vetë Ilir Thana kishte një kredi të pashlyer pranë bankës së nivelit të dytë ku thesari i shtetit po i kalonte paratë.
Në këtë aferë prokuroria e Tiranës ka mundur të sekuestrojë 22 milion lekë ndërsa 28 milion lekë janë tërhequr në shifra e raste të ndryshme nga Ilir Thana.
Ende hetuesit s’kanë mundur të faktojnë korrupsionin tek zyrtarët e lartë ndërsa Arlind Gjokutaj, drejtori Fatmir Hoxha dhe përmbaruesi Alban Ruli janë arrestuar dhe ndaj tyre është lënë në fuqi masa e sigurisë arrest në qeli.
FactCheck mëson se në prokurorinë e Tiranës ka nisur marrja në pyetje e personave që kanë dijeni për rrethanat e hetimit, ndërsa janë sekuestruar afro 80 e-maile ku po verifikohet nëse eprorët e Gjokutaj përfshi edhe ministrin e linjës kishte dijeni apo jo për pagesën e kryer më herët nga ky institucion.
Në rast të faktimit të veprës penale të korrupsionit dhe përfshirjes së zyrtarëve të lartë çështja do t’i kalojë për kompetencë SPAK.