Avokati i Lefter Kokës kërkesë në Gjykatën e Posaçme:| Të bashkohen dosjet e inceneratorit të Fierit dhe Elbasanit

Ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka kërkon në Gjykatën e Posaçme që dy dosjet e inceneratorëve të Fierit dhe të Elbasanit të bashkohen në një të vetme. Ndaj tij rëndojnë akuza për të dyja dosjet dhe aktualisht Koka ka dy masa sigurie “Arrest në burg”.

Avokati mbrojtës ka parashtruar kërkesën në seancën që po mbahet këtë të mërkurë në Gjykatën e Posaçme. Të pranishëm në sallë janë ish-ministri Lefter Koka dhe ish-deputeti Alqi Bllako.

Sipas SPAK, duke vlerësuar në tërësi provat e administruara, krijohen dyshime të arsyeshme se shtetasi Lefter Koka ka konsumuar veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale” , kryer në bashkëpunim.

Lefter Koka u prangos më 14 dhjetor në shtëpinë e tij, ndërsa arrestimi i tij ka lidhje me kallëzimin penal të bërë nga Lëvizja Socialiste për Integrim, për dosjen e inceneratorëve. Disa muaj pas ish-ministrit, u arrestua dhe deputeti socialist Alqi Bllako.

Të dy ish-zyrtarët e lartë të shtetit qëndrojnë në paraburgimin e Durrësit, në pritje të përfundimit të gjyqeve dhe komunikimit të dënimit final. Nga ana e SPAK, janë mbyllur hetimet për të dy inceneratorët, Elbasanin dhe Fierit, e për këtë si Koka dhe Bllako, janë marrë të pandehur.

Latest articles

Related articles