Ushtria somaleze ka bërë përparim të rëndësishëm në operacionet që ka ndërmarrë prej rreth 5 muajsh kundër organizatës terroriste Al-Shabaab dhe ka arritur të rimarrë nën kontrollin e saj dhjetëra qytete, qyteza dhe fshatra.
Presidenti i Somalisë, Hassan Sheikh Mohamud, i cili pas rizgjedhjes së tij në maj 2022 filloi një luftë gjithëpërfshirëse ushtarake, politike dhe ekonomike kundër Al-Shabaab, në gusht 2022 ai premtoi që do të shpëtojë vendin nga moçali i terrorizmit.
Organizata terroriste zhvilloi sulme të përgjakshme në shumë qytete kryesisht në kryeqytetin Mogadishu, pas operacioneve të filluara nga ushtria, disa prej të cilave me mbështetje nga ajri.
Operacionet e mbështetura nga elementët lokalë si në aspektin ushtarak ashtu dhe në atë logjistik, vazhdojnë pa u ndalur pavarësisht kërcënimeve dhe sulmeve të Al-Shabaab.
Në rajonet e marra nën kontroll u vendosën njësitë lokale dhe deri në fund të vitit të ardhshëm planifikohet që ushtria të marrë në dorëzim sigurinë në të gjitha rajonet nën kontrollin e Misionit të Tranzicionit të Unionit Afrikan në Somali (ATMIS).
– Hiran u pastrua plotësisht
Operacionet e kryera në Hiran, një prej rajoneve administrative të Hirshabelle, rezultuan me marrjen nën kontroll të të gjithë rajonit nga forcat e qeverisë. Ndërkohë që Beledweyne ka qenë një prej qyteteve ku lufta është përjetuar më intensive.
Në Hiran janë marrë nën kontroll rreth 20 qytete dhe qyteza të tilla si Buloburde, Jalalaqsi, El-Ali, Mataban, Buq-Aqable, Mahaas, Yasooman, Booco, Mukayle dhe Moqokori.
Abdullahi Ali Anod, zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, në një deklaratë për AA vuri në dukje se e gjithë qendra e rajonit Hirshabelle është pastruar nga organizata dhe më tej tha se anëtarët e organizatës kanë kryer sulme duke u fshehur nëpër fusha në periferi.
Ndërsa në Shabelin e Mesëm e cila është zona e dytë administrative e rajonit Hirshabelle ku është arritur një sukses i madh nga forcat e sigurisë, janë marrë nën kontroll qytete të mëdha si Al-kowsar, Bal-ad, Adale, Aden Yabal, Mahadaday dhe Ruun-Nirgood.
Po ashtu në rajonin Galmudug janë marrë nën kontroll qendrat e vendbanimeve të tilla si Qaayib, Dhuumoodle, Cada Kibir, Sina Dhaqa, Labi-dulle, Wabxo, Masagaweyn dhe Ceel Gorof, ndërsa në rajonin Bay kanë kaluar sërish nën kontrollin e ushtrisë kombëtare 10 qytete dhe qyteza.
– Po bëhen përgatitje për operacion në Jubaland
Organizata terroriste mban ende nën kontrollin e saj rajonet Galmudug, Jubaland dhe disa zona në rajonet jugperëndimore.
Bëhet e ditur se janë në vazhdim përgatitjet për një operacion në shkallë të gjerë në Jubaland i cili është një prej bazave të Al-Shabaab. Qytetet e mëdha si Jilib, Bu’ale, Dujuma dhe Saakow në Jubaland ndodhen ende nën kontrollin e organizatës terroriste.
Al-Shabaab që nga mesi i vitit 2000 e deri më tani përpiqet të rrëzojë qeverinë e formuar në Mogadishu.
Organizata në të njëjtën kohë kryen akte terroriste edhe në Kenia, fqinjin e Somalisë.
Sipas Kombeve të Bashkuara (OKB), gjatë sulmeve të kryera nga Al-Shabaab nga janari e deri në nëntor të vitit të kaluar kanë humbur jetën 613 civilë, ndërsa janë plagosur 948 të tjerë.