Ervis Iljazaj
Pas rikthimit të Sali Berishës në politikën aktive dhe në krye të lidershipit opozitar që nga 6 marsi, sot padyshim që mund të dalim në disa konkluzione se çfarë ka ndodhur me Partinë Demokratike dhe opozitën në përgjithësi nën drejtimin e tij. Pas një periudhe pothuajse një vjeçare mund të thuhet se lidershipi i Sali Berishës, në këtë moment, po kalon një krizë të trefishtë. Krizë politike, juridike dhe diplomatike. Ndoshta këto kriza mund të zgjidhen më vonë, por deri më tani, asnjë prej tyre nuk është zgjidhur.
Kriza politike ka të bëjë me faktin se Sali Berisha nuk arriti dot ta bashkojë Partinë Demokratike. Në thelb, ngjarjet e ditëve të fundit për të shkarkuar Alibeajn nga kryetar grupi, pavarësisht debateve dhe taktikave që përdorin palët, na tregojnë se Berisha nuk arriti dot ta marrë dhe ta bashkojë grupin parlamentar, pa të cilin vështirë se ka aktivitet efikas politik.
Slogani i Foltores “Më të bashkuar, më të fortë dhe më të hapur”, është një slogan që nuk realizoi asnjë nga objektivat e tij. Sot PD, është më e përçarë, më e dobët dhe më e mbyllur. Më e përçarë pasi fraktura që krijoi përjashtimi i tij është një frakturë tashmë që nuk mund të rekuperohet më. Ky fenomen nuk është vetëm te drejtuesit, por edhe poshtë në bazë. Pavarësisht përqindjeve, ka demokrat që nuk votojnë për Berishën për shumë arsye. Më e dobët pasi shumë pak njerëz e shikojnë opozitën fituese në zgjedhjet e ardhshme me në krye Sali Berishën.
Dorëheqja nga mandati i disa deputetëve janë një shenjë e qartë e mungesës së shpresës që ekziston në kampion opozitar. Madje në mënyrë të rrezikshme për demokracinë shqiptare kjo mungesë shprese është kthyer në një psikozë masive. Edhe vetë Berisha dhe njerëzit që e rrethojnë, duket sikur nuk kanë shumë besim te suksesi i tyre. Në fakt po ta vësh re, e vetmja kauzë që kanë është “ne jemi opozita e vërtetë’’. Koncept i cili është absurd në vetvete. Opozita e vërtetë është një term që nuk ka asnjë kuptim racional, por vetëm emocional. Opozita që i duhet shqiptarëve është ajo fituese.
Po ashtu, mund të thuhet se Partia Demokratike që nga rikthimi i Berishës është më e mbyllur. Të gjithë ata që e mbështetën, shumë prej tyre figura publike të respektuara, kishin iluzionin se Berisha po kryente një mision të fundit. Atë të largimit të Lulzim Bashës dhe hapjes së partisë. Në fakt, shumë prej tyre publikisht apo privatisht shprehen të zhgënjyer. Jo vetëm që PD nuk u reformua apo u hap, por përkundrazi, ajo parti sot përbëhet vetëm nga njerëzit më besnik të Berishës, që në shumicën e rasteve nuk kanë asnjë vlerë tjetër përveçse besnikërisë ndaj tij.
Megjithëse politikisht Sali Berisha e konsideron veten kryetar të Partisë Demokratike, për institucionet shqiptare dhe ligjet në fuqi kryetar është Enkelejd Alibeaj. Në pamje të parë për shumë prej mbështetëseve të tij kjo është një gjë parëndësishme dhe një formalitet, por që në të vërtetë ligjshmëria dhe legjitimiteti i një force politike ka një rol thelbësorë.
Vetë Sali Berisha është i ndërgjegjshëm për këtë gjë, prandaj edhe gjithë beteja e tij që nga 6 marsi e këtej është fokusuar te njohja ligjore e tij si kryetar i Partisë Demokratike dhe aspak te rrëzimi i pushtetit. Në fakt Sali Berisha, ndryshe nga seç e mendonin shumica e mbështetësve të tij dhe shumë njerëz publik, deri më tani ka zhvilluar një opozitë paqësore, madje më paqësoren e historisë së tij politike. Për momentin ndodhet shumë larg radikalizmit politik të Lulzim Bashës. Shpresa e shumë njerëzve se me rikthimin e tij, opozita do ishte radikale, agresive dhe se do ta nxirrnin Ramën nga Kryeministria me revolucion, sepse nuk është i “shitur” si Lulzim Basha, me sa duket është zbehur.
Sepse, më parë se të bëjë “revolucionin”, beteja e Berishës është të njihet si kryetar i Partisë Demokratike. Dhe gjithë përpjekja politike është pikërisht për këtë qëllim dhe aspak për marrjen e pushtetit apo largimin e Ramës me revolucion.
Ndërsa kriza më e rëndësishme që ka aktualisht lidershipi i Berishës është padyshim izolimi ndërkombëtar pas shpalljes non grata nga ShBA dhe Britania e Madhe. Deri më sot Berisha nuk ka zhvilluar asnjë takim zyrtar me homologët e tij europian, rajonal apo edhe shqiptarë të rajonit.
Fakt ky se shpallja non grata pavarësisht se shumëkush prej kampit të tij mundohet ta zhvlerësojë dhe ta konsiderojë si të parëndësishme, apo të ndërtojë teori absurde me sovranizma, është një peshë e madhe në kurrizin e çdo lideri politik dhe ka një rëndësi reale në aktivitetin dhe perspektivën e tij politike, dhe bashkë me të Partisë Demokratike. Deri më tani, megjithë zotimin se marrëdhëniet diplomatike rregullohen dhe nuk janë ndonjë problem i madh politik, mjafton të kesh mbështetje popullore, asnjë nga përfaqësuesit diplomatik në Shqipëri nuk ka shkelur në selinë e Partisë Demokratike që nga momenti që aty ndodhet zyra e Berishës.
Sikur vetëm njërën nga këto kriza të duhet të përballosh në betejën politike për ardhjen në pushtet e bëjnë atë shumë të vështirë, të tria bashkë e bëjnë këtë mision pothuajse të pamundur të paktën për momentin.