Disa njerëz që lexojnë në Tiranë qarkulluan në rrjetet sociale një video të prezantimit të ish drejtorit të Bibliotekës Kombëtare, z. Aurel Plasari, të librit “Skënderbeu – një histori politike”, në praninë e Skënderbuçit të madam Elisës, z. Edi Rama. Ky i fundit tha se kjo bëhej për rast të mirë, në vigjiljen e 555-vjetorit të vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
E quanin skandal prezencën e tij për faktin që z. Plasari ka qenë një nga kritikët me leje krijimtarie të Edi Ramës për një sërë çështjesh, nga raporti me manjatin filantrop Soros tek shembja e Teatrit Kombëtar.
Nuk është fare skandal, prezenca, në barkun e korrupsionit të Alda Klosit. Plasari dhe do të tjerë kanë qenë në kohë të padyshimta “shitës ambulantë” të OFERTËS së një figure eksentrike si e Edi Ramës për të qenë kryeministër. Dhe ja rezultati: 3 mandate radhazi me kampionë si Saimir Tahiri, Lefter Koka, Alqi Bllako dhe shumë të tjerë. Shpopullimi masiv i rinisë vitale dhe dhurimi i tyre si qese gjaku për pleqtë gjermanë.
Torquato Accetto-s tek “Arti i shtirjes së ndershme”, na mësonte se si duhet të sillen shkrimtarët ose intelektualët gjatë diktaturave. Le të mendojmë se nuk është shkruar në shekullin e XV-të, por që është gjithmonë aktual, sepse aktuale janë edhe diktaturat. Edhe Plasari, po të kishte qenë në pozicione intelektuale të favorshme, do të kishte simuluar në një formë ambiguiteti me diktaturën, për vetë faktin e pamohueshëm se martirët janë të panevojshëm përpara qëllimit kriminal të një klubi hajdutësh. Por Ai nuk shtiret ndershëm. I pëlqen ndërshmërisht KM.