Paketa e pjesshme fiskale e miratuar nga Kuvendi vitin e kaluar, është tashmë efektive. Ndryshimet duhet të njihen dhe të zbatohen nga tatimpaguesit, për të mos u penalizuar sipas neneve të këtij ligji. Faktor.al sjell një prej ndryshimeve më të rëndësishme, atë që ka të bëjë me mallrat e pashoqëruara me dokumente tatimore.
Sipas ndryshimeve nëse autoritetet hasin transport të mallrave të pashoqëruar me dokumentet tatimore, ato penalizojnë pothuajse të gjitha kategorite e përgjegjësive tatimore, duke filluar nga të vetëpunësuarit që nuk paguajnë tatim mbi vlerën e shtuar, të vetëpunësuarit që paguajnë këtë tatim, por edhe tatim paguesit që paguajnë tatim fitim për veprimtarinë që kryejnë. Për kategoritë e mësipërme gjoba varion nga 25 mijë lekë deri në 750 mijë lekë.
Një tjetër kategori sipërmarrësisht, që janë të tillë, po nuk janë rregjistruar, penalizohen me një gjobë prej 50 mijë lekësh. Përsëritja e kësaj dukurie ka të tjera penalitete.
Ligji i ndryshuar merr në konsideratë edhe mallin e gjetur pa faturë të tatimit mbi vlerën e shtuar. Në këtë rast, pavarësisht vlerës së pretenduar, administrata e vlerëson mallin me çmimet e tregut.
Ndryshimet e mësipërme kanë hyrë në fuqi dhe po ndiqen nga administratorët tatimorë. Ato janë miratuar nga legjislativi gjatë vitit të kaluar në trajtën e një paketë fiskale të pjesshme.
Neni i ligjit të ri të procedurave tatimore, që ka hyrë në fuqi në janar të vitit 2023.
Mallrat e pashoqëruara me dokumente tatimore
- Tatimpaguesit që mbajnë në ruajtje, përdorin ose transportojnë mallra të pashoqëruara me dokumente tatimore, në përputhje me dispozitat e këtij ligji dhe të legjislacionit në fuqi për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit, penalizohen si më poshtë:
- a) tatimpaguesit e regjistruar me përgjegjësinë tatimore të tatimit mbi të ardhurat personale nga biznesi apo vetëpunësimi, të cilët nuk janë të regjistruar për TVSH-në, dhe tatimpagues të tjerë dënohen me gjobë prej 25 000 lekësh;
- b) tatimpaguesit e regjistruar me përgjegjësinë tatimore të tatimit mbi të ardhurat personale nga biznesi apo vetëpunësimi dhe për TVSH-në dënohen me gjobë prej 50 000 lekësh, por jo më pak se vlera e TVSH-së së munguar;
- c) tatimpaguesit e regjistruar me përgjegjësinë tatimore të tatimit mbi fitimin korporativ dënohen me gjobë prej 750 000 lekësh, por jo më pak se vlera e TVSH-së së munguar;
ç) personi, i cili ushtron veprimtari ekonomike tregtare i paregjistruar, sipas përcaktimeve të nenit 41 të këtij ligji, dënohet me gjobë prej 50 000 lekësh.
- Përcaktimi i vlerës së TVSH-së së munguar bëhet nga administrata tatimore në momentin e konstatimit të shkeljes duke vlerësuar mallin e gjetur pa faturë me çmimin e tregut.
- Për shkeljet e parashikuara në pikën 1 të këtij neni, në rast përsëritjeje, administrata tatimore, përveç penaliteteve të përcaktuara në pikën 1, kallëzon penalisht tatimpaguesin në përputhje me përcaktimet e neneve 116 dhe 131 të këtij ligji.